Drejtoria e Urbanizmit në Komunën e Ferizajt, u ka kërkuar sot ekspertëve të fushës së planifikimit që të japin kontributin e tyre me rastin e përgatitjes së draft-propozimit të hartave zonale. I pari i kësaj drejtorie, Lulzim Aliu, gjatë një debati me këta ekspertë ka thënë se është momenti i fundit që të dilet me idenë se ka duhet orientuar zhvillimi i qytetit e me këtë edhe ndërtimi.
Madje ai ka sjellur edhe aspekte që lidhen me punën e deritanishme, duke vë në dukje se deri më tani janë organizuar dhe mbajtur disa takime publike me qëllim të identifikimit të nevojave që dalin nga ky projekt. Duke specifikuar një mori çështjesh që prekin këtë fushë, ai ka thënë se me interes është që të mendohet se çka duhet ndërmarrë në mënyrë që të kënaqen të gjithë.
Në debatin e mbajtur janë angazhuar edhe zyrtarë të Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor. Suzana Goranci nga kjo ministri ka thënë se pushteti lokal duhet të mbaj debate publike me qytetarë për këtë dokument të rëndësishëm. Ajo ka thënë se ky dokument ka rëndësi të veçantë andaj sipas saj inkuadrimi i eksperteve të fushës në këtë fazë është mese e domosdoshme.
Për më tepër në këtë debat u pa qartë se aspektet që duhet debatuar janë elementet e ndërtimit, përfshirë koeficientin, etazhitetin , lartësinë e objekteve por edhe sipërfaqen e planifikuar për ndërtim.
Në anën tjetër edhe pjesëmarrësit tjerë kanë folur për nevojën e rritjes së komunikimit në këtë fazë me qëllim që të dilet me idetë e qarta se çka po synohet të arrihet me dokument. Madje kanë adresuar edhe vërejtjet e tyre në disa aspekte që tashmë pritet të jenë pjesë e draftit.
Ky dokument me rëndësi rregullon aspekte që lidhen me planifikimin hapësinor dhe ndërtimit, ndërsa me këtë rasat se hartimi i tij duhet të bëhet në përputhje të plotë me Ligjin e Ndërtimit dhe Planin Zhvillimor Komunal.