Eksperti gjerman për Ballkanin, Bodo Weber, ka theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë vizion të qartë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Emërimi i ambasadorit Richard Grenell, si i dërguari presidencial amerikan për bisedimet Kosovë – Serbi dhe emërimi i të dërguarit të posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, nuk do të thotë se është tregues që SHBA është e përkushtuar në gjetjen e zgjidhjes së çështjes së Kosovës.
Kështu ka thënë për mediet serbe, Eksperti gjerman për Ballkanin, Bodo Weber, transmeton lajmi.net.
Sipas tij, emërimi i Grenell dhe Palmer, tregon që Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e kanë një vizion të qartë dhe se sipas tij, kjo nuk do të thotë shumë përfshirje e SHBA-ve në periudhën e ardhshme për të zgjidhur çështjen e Kosovës.
“Në Kosovë, Serbi dhe në rajon, emërimi i dy të dërguarve specialë, Matthew Palmer për Ballkanin Perëndimor dhe Richard Grenell për dialogun Beograd-Prishtinë, është interpretuar si një angazhim i ri dhe kjo e ka vendosur administratën e SHBA-së të përqendrohet në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Weber, transmeton më tutje lajmi.net.
Pavarësisht këtyre interpretimeve, Weber thotë se në fakt është krejt e kundërta.“Vetë fakti që dy të dërguar të veçantë janë emëruar paralelisht, të pakoordinuar, Matthew Palmer, jo si një përfaqësues i Ballkanit Perëndimor jo nga administrata Trump, por vetëm nga Departamenti i Shtetit, dhe Richard Grenell nga Shtëpia e Bardhë, pra nga Trump, për mendimin tim kjo është një shenjë që vëmendja e administratës amerikane është shumë më e vogël këtë vit sesa ishte më parë. Më duket më shumë si një shenjë se ata nuk kanë më ndonjë iniciativë të re”, theksoi Weber.
Weber beson se Grenell, i cili është edhe ambasadori aktual amerikan në Gjermani, e ka imponuar veten si një të dërguar presidencial të SHBA.“Unë nuk kam prova, por dyshoj se Grenell, me iniciativën e tij, i ka kërkuar Trump të jetë i rëndësishëm dhe mbase të ecë përpara nëse ai është ai që fillon marrëveshjen, por unë nuk shoh një përfshirje më të madhe të Amerikës sesa që ishte në të kaluarën. Në fakt, unë nuk mendoj se Grenell ka shumë atë eksperiencë për të kuptuar se mund të luajë një rol më të madh. Përkundrazi, unë shoh që do të kemi një unitet të Bashkimit Evropian që nuk e kishim në kohën e Mogherinit”, u shpreh Weber.
ipas tij, politika e administratës së kaluar të Bashkimit Evropian ishte shumë e papërgjegjshme për Kosovën.“Ishte privatizimi i plotë i politikës evropiane nga Federica Mogherini dhe ekipi i saj nga katër deri në pesë persona. Ky është rast unik në historinë e politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së, e cila nuk është aq e vjetër, sepse përfaqësuesi i lartë në detyrën e asaj politike u privatizua plotësisht nga procesi i negociatave”, vlerësoi Weber.