Eksperti i mjekësisë ligjore nis dëshminë në Speciale

Prishtinë | 13 Jan 2025 | 11:21 | Nga Ekonomia Online

Eksperti i mjekësisë forenzike, njëherësh gjeneticist mjekoligjor, William Goodwin, ka nisur dëshminë e tij në Gjykatën Speciale në Hagë.

Goodwin po pyetet lidhur me raportet që i ka përpiluar ai.

Dëshmitari pohoi se ka përgatitur një raport më 22 shtator 2021 dhe sipas tij, ky raport përfshinë opinionin e tij të pavarur në pyetjet që ia parashtroi ZPS-ja në letrën udhëzuese së bashku me dokumentet përkatëse që e kishte marrë më 30 korrik 2021.

Sipas prokurorit James Pace, ky është një raport i ADN-së për një person të cilit nuk iu tha emri në seancë të hapur. Si rrjedhojë, prokurori lexoi një pjesë të raportit të këtij dëshmitari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Në raportin tuaj thuhet se profili i ADN-së është i kriptuar që kufizon mundësinë për rishikim ë plotë. Megjithatë, bazuar në pjesëtarët e familjes që janë të disponueshem dhe leukocitet që përputhen, gjasat e përputhjes dhe probaliteti i identitetit duken të arsyeshme”, tha prokurori.

Për këtë gjë, dëshmitari tha se nuk ka asgjë për të ndryshuar në këtë pjesë.

Dëshmitari pohoi se pas udhëzimeve të ZPS-së, ka përgatitur një raport tjetër më 6 mars 2023.

Më pas dëshmitarit iu prezantua një pjesë e raporti ku sipas prokurorit mund të shihen tipat e personave të testuar.

“Shohim nënë, baba, bashkëshorte, vajzë, djalë. A mund të na thoni që informacionet shtesë që po shihni tani; nëna, babai, bashkëshortja, vajza, djali kanë ndonjë ndikim në vlerësimin tuaj në raportin tuaj?”, tha prokurori.

“Në këtë rast kanë. Kemi të dhëna të plota. Kemi nënën, babain, të cilët me personin e zhdukur mund të rrisin jashtëzakonisht gjasat. Kem vajzën, djalin dhe bashkëshorten. Pra, bashkërisht mund të nxjerrim shkallë të gjasave të larta për secilin prej tyre”, u përgjigj dëshmitari.

Me kaq mbaroi pyetjet prokuroria për të vazhduar ekipet e mbrojtjes pas pushimit dhjetë minutash.

Vlen të theksohet se mbrojtja e Veselit e përfaqësuar nga avokatja Ann Rowan tha se sa i takon konfidencialitetit, të gjithë personat që kanë të bëjnë dhe janë të lidhur me mostrat e ADN-së janë publik në aktakuzë.

“Në rrethana të tilla ne kemi vazhduar me supozimin se këto raporte të ADN-së do të emërohen dhe referencat e kampioneve do të përmenden. Pra, këto janë viktima publike në këtë rast dhe nuk është e qartë nëse ndonjëri prej tyre raporteve që kanë të bëjnë me viktimat publike në këto rrethana do të jenë konfidenciale apo jo”, tha Rowan, duke kërkuar që këto raporte të mos jenë konfidenciale.

Sipas kryetari të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e këtij eksperti pritet të zgjasë një ditë. Nga kjo kohë, prokuroria ka parashtruar se i duhen një orë ndërsa mbrojtja rreth katër orë e gjysmë.

Vlen të theksohet se gjatë fillimit të seancës kishte probleme teknike në qasjen e transmetimit. Pas kësaj, një pjese të seancës i mungoi përkthimi në gjuhën shqipe sidomos kur u lexua një pjesë e raportit

Të ngjashme