Eksperti i sigurisë për vizitën e Sveçlës në veri: Tregon përkushtim, ka qenë i pranishëm në të gjitha zhvillimet atje

Prishtinë | 27 Maj 2023 | 15:10 | Nga Ekonomia Online

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, duke folur për vizitën e ministrit të brendshëm në veri, tha se Sveçla ka qenë i pranishëm në të gjitha zhvillimet atje.

“Nga aspekti politik është me rëndësi të jetë aty pranë zhvillimit të ngjarjeve dhe z.Sveçla ka qenë përherë kështu, ka qenë i pranishëm në të gjitha zhvillimet atje dhe kjo i jep një përkrahje të gjitha zhvillimeve në aspektin e mbikqyrjes, zbatimit, detyrave ligjore dhe funskionale”, tha ai.

Ai tha se mendon që vizita e sotme e Sveçlës në veri tregon përkushtim.

“Mendoj që edhe vizita e sotme atje tregon një përkushtim, por apostrofojë edhe këtë që duhet në këto raste të ketë harmonizim me prezencën ndërkombëtare, unë besoj që ajo është, por ndoshta edhe në nivelin edhe pak më të lartë të bisedimeve në kuptim të asaj që tash po jemi të vetëdijshëm edhe për kritikat që po vijnë pra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pra Blinken sekretari i shtetit, ambasadori, mandej edhe grupi i QUNT-it”, tha ai.

Ibishi foli edhe për asistencën policore, duke thënë se kjo asistencë në vendosjen e tre kryetarëve të komunave, ka qenë jashtëzakonisht profesional.

“Ndërkaq, sa i përketë asistencës policore në vendosjen e tre kryetarëve të komunave mendoj që ka qenë jashtëzakonisht profesional, ka qenë me baza krejt ligjore, duke iu referuar përshtatshmërisë, proporcinalitetit edhe veprimeve ligjore në kryerjen e detyrave”, tha ai.

Ibishi foli edhe për daljen në punë të kryetarit të ri të Leposaviqit, Lulzim Hetemi, në ditë vikendi, duke thënë për Klankosova.tv se ai sapo e ka filluar punën dhe mund të ketë nevojë për kohë shtesë.

“Ai e vlerëson apo e planifikon edhe ditët gjatë vikendit, për arsye se sapo e kanë marrë punën dhe me siguri duhet kohë shtesë, përveç ditëve që janë efektive të punës, kështuqë mendoj që nuk ka asgjë edhe pse është ditë vikendi, ai me siguri ka nevojë që të përgatitet. Po të ishte hyrja, apo vendosja në objekt, ndoshta kishte me qenë diskutabile, por ajo u bë dje me kohë, ndërsa vazhdimi fare nuk është me rëndësi”, tha ai.

Eksperti i sigurisë gjithashtu foli edhe për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë të Serbisë dhe deklaratësn e së presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, për siç ka thënë ai mbrojtjen e serbëve të Kosovës.

“Nuk është fare për t’u habitur, ai vazhdimisht, për çdo situatë, jo vetëm për këtë rast, por edhe të mëhershme atëherë kur është luftuar krimi i organizuar, Vuçiqi ka ngritur nivelin e forcave të armatosura, por edhe sektorët e tjerë të sigurisë, policinë dhe njësitet e specialuzuara, i ka afruar afër kufirit, e kanë mbajtur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, duke adresuar kërcënime”.

“Nuk ka nevojë për mbrojtje të qytetarëve të Kosovës, qytetarët e Kosovës i mbron Policia e Kosovës, i mbron edhe faktori ndërkombëtar, EULEX-i që është në mbikqyrje në mision të kufizuar të zbatimit, KFOR-i që ka mandat të veçantë dhe superior sa i përketë sigurisë dhe aspektit të mbrojtjes së Kosovës. Nuk ka nevojë ai të kujdeset për qytetarët e Kosovës, pra kjo është vetëm një hipokrizi e tij”, është shprehur Ibishi për Klankosova.tv.

Të ngjashme