Eksperti kroat i çështjeve rajonale, Davor Gjenero, ka thënë se ndalimi i valutës serbe nga ana e qeverisë kosovare prodhoi “publicitet të mirë për palën serbe” nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. Ai megjithatë e mbështeti në plotni vendimin si “të duhur” dhe “në funksion të sovranitetit shtetëror” të Kosovës, përveç që tërheq vërejtjen e moskonsultimit me aleatët, që sipas tij, do të bënte që legjitimiteti i vendimit të shoqërohej edhe me mbështetje adekuate.
Gjenero nuk vëren asnjë problem as me legalitetin dhe as legjitimitetin e vendimit të ndalimit të dinarit – e quan madje të mirë edhe për vetë serbët e Kosovës – por, vështron në atë që është prodhuar “pakënaqësi” si pasojë e çështjes së moskomunikimit të vendimeve nga ana e qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti te bashkësia ndërkombëtare.
Ndërsa këto që ai quan “politika të pavarura” të Kurtit, Gjenero na thotë se janë shkaku i pakënqësisë së te komuniteti euroatlantik “e veçanërisht te Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
“Është e qartë që amerikanët qëndrojnë të pakënaqur me Qeverinë e Kurti sepse ai s’është i përgatitur të diskutojë rreth vendimeve të tij përpara se t’i merr dhe ai nuk është duke i konsultuar për politikat; në mënyra të tjera, ai po provon të udhëheq me politika të pavarura dhe kjo është diçka që shkakton një lloj pakënaqësie mes partnerëve euroatlantikë, veçanërisht ShBA-në”, ka thënë Davor Gjenero në një bisedë me Nacionalen.
“Pavarësisht kësaj, fakti qëndron që ky vendimi për shmangien e dërgimit të pakontrolluar të dinarit në Kosovë përmes kufijve, nuk është diçka që do të ishte ose zgjidhje e keqe për vetë serbët e Kosovës ose diçka që nuk do të ishte diçka në shpërputhje me Kosovën si shtet të pavarur. Në fund, të gjitha këto çështje do të pranoheshin nga ndërkombëtarët si legjitimiteti si vendime”, shton ai.
Për njohësin kroat të çështjeve rajonale, Davor Gjenero, çështja është veçse te komunikimi i çështjeve me mbështetësit e shtetit kosovar.
“Për Kosovën do të ishte më mirë të konsultohej me aleatët e saj rreth kohës dhe rreth asaj se si të zbatojë disa vendime me amerikanët dhe evropianët, por kjo nuk do të thotë që Kosova duhet të zbehë ose heq çfarëdo vendimi që përmbush pavarësinë e Kosovës dhe funksionalitetin e sovranitetin e saj shtetëror”, na thotë ai.