Eksperti për Ballkan: Vuçiq paraqet shqiptarët, boshnjakët dhe kroatët si armiq për të ruajtur pushtetin

Prishtinë | 12 Maj 2025 | 15:48 | Nga Ekonomia Online

Eksperti për Ballkanin, Vedran Xhihiq, ka deklaruar se pjesëmarrësit në protestat në Serbi janë kryesisht të orientuar drejt Evropës, por e dënojnë Bashkimin Evropian për kompromiset dhe marrëveshjet e tij me regjimin e Aleksandar Vuçiqit. Sipas tij, përmes vizitave në Strasburg dhe Bruksel, protestuesit synojnë që institucionet evropiane të marrin një qëndrim të qartë.

“Në atë rast, do të rritej sërish besueshmëria e BE-së në Serbi dhe në planin afatmesëm e afatgjatë do të forcohej integrimi i Serbisë në Evropë. Qëndrimi pozitiv ndaj BE-së mund të rritet edhe pas rënies së Vuçiqit, sepse megjithëse ai paraqitet si pragmatik ndaj Evropës, në narrativin e tij nacionalist e diskrediton atë,” ka thënë Xhihiq për të përditshmen gjermane Frankfurter Rundschau (FR).

Xhihiq, hulumtues i lartë në Institutin Austriak për Çështje Ndërkombëtare në Vjenë dhe në Grupin Këshillues për Politikat Publike për Ballkanin në Evropë (BiEPAG), ka theksuar se në këto narrativa “Vuçiq fyen Gjermaninë dhe Perëndimin”, dhe ka vlerësuar se Serbia pas Vuçiqit “mund të kthehet shumë shpejt në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE”.

Ai ka shtuar gjithashtu se Vuçiq ka një të kaluar të qartë nacionaliste, se karrierën e tij e ka ndërtuar nën regjimin represiv të Sllobodan Millosheviqit dhe ka qenë për një kohë të gjatë anëtar i “Partisë Radikale Serbe ultranacionaliste”. Vuçiq, sipas tij, e paraqet veten si “babai i madh i gjithë kombit serb, mbrojtës i serbizmit të vërtetë, ndërsa armiqtë e tij janë, për shembull, shqiptarët e Kosovës, kroatët apo boshnjakët. Kjo është e njohur edhe nga qarqe të tjera të djathta-nacionaliste në Evropë,” ka theksuar Xhihiq.

Të ngjashme