Të gjithë ata që kanë përjetuar një histori dashurie e cila nuk ka një fund të lumtur do të mund të bëhen pjesë e ekspozitës në kuadër të “Museum of Broken Relationships” që do të vijë në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës. Qëllimi i këtij muzeu është të mbledhë dhe shfaqë objektet e dhuruara nga njerëzit në mbarë botën të cilët kanë përjetuar “ndarjen”.
Një palë këpucë që dikush ju ka dhuruar, një kuti me letra, një pasqyrë, një fotografi, ndoshta një poezi, një kapele, çfarëdo që ju kujton një njëri të dashur për ju, një lidhje të shkëputur, mund t’i dhuroni edhe ju dhe të bëhen pjesë e kësaj ekspozite.
Misioni i këtij muzeu është të lidhë njerëzit përmes tregimeve të dashurisë dhe humbjes së tyre. “Museum of Broken Relationships” është projekt global artistik i themeluar nga Olinka Vištica dhe Dražen Grubišić me bazë në Kroaci. Ky muze është mbajtur në Kroaci, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Holandë, Japoni, Spanjë, Francë, Finlandë, Danimarkë e në shumë vende të tjera të botës.
Diona Hoxha pjesë e stafit organizativ tregoi për KultPlus se para dy viteve, organizatoret e muzeut Blerta Avdiu dhe Ilire Gashi kanë vizituar këtë muze sa ai ishte i hapur në Kroaci. Gjatë vizitës ato kanë menduar që kjo të organizohet edhe në Kosovë.
Kështu vitin e kaluar një grup i të rinjve i përbërë nga Blerta Avdiu, Ilire Gashi, Kushtrim Fetahu, Diona Hoxha, Diellza Salihu, Rrezearta Jahiu dhe Tringa Kasneci, filluan punën për të realizuar këtë.
“Ekspozita do të përfshijë të gjitha historitë bashkë me gjësendet që njerëzit kanë dhuruar në muze. Vizitorët do të kenë mundësin të lexojnë histori të dashurisë, të cilat janë thyer në të kaluarën si dhe do t’i shohin të bashkangjitura gjësendet që dhuruesit do të sjellin në muze. Përveç historive nga Kosova, ne do te sjellim edhe histori të tjera jashtë Kosovës, veçanërisht nga muzeu në Zagreb, që të përfshijmë diversitet dhe kultura të ndryshme në muze”, tregoi ajo për KultPlus, duke thënë se fillimisht ka qenë e vështirë mbledhja e gjësendeve të ndryshme dhe historive nga njerëzit.
“Qëllimi i gjithë projektit, është ndarja e eksperiencave, por përveç asaj, ne mendojmë që është një frymë e re në vendin tonë. Ka pasur shumë njerëz që e kanë vizituar këtë muze kudo jashtë Kosovës, por ne tash po e mundësojmë që njerëzit ta vizitojnë po të njëjtin muze në Kosovë. Ne shpresojmë që njerëzit do të jenë të kënaqur me punën që kemi bërë dhe kjo iniciativë të jetë shtyse për të rinjtë në Kosovë që të marrin iniciativa të tilla e të sjellin diçka të re dhe interesante në vendin”, përfundoi ajo për KultPlus.
Nëse dëshironi që historia juaj të jetë pjesë e një muzeu të tillë, të gjithë të interesuarit mund të dërgojnë deri më 6 prill në këtë link, historitë e tyre të cilat preferohen që të jenë në gjuhën të cilën e flasin në përditshmëri.
Ekspozita do të mbahet në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës duke filluar nga 3 maj deri më 1 qershor.