Ekspozitë për kontributin e shqiptarëve për shpëtimin e hebrenjve

Prishtinë | 09 Nën 2017 | 12:29 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës, ambasadorë të akredituar në Kosovë, përfaqësues nga Izraeli, dhe nga institucionet fetare e kulturore në vend, morën pjesë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare kundër Fashizmit dhe Antisemitizmit.

Me këtë rast u hap dhe ekspozita e fotografive dhe dokumenteve, të cilat pasqyrojnë dëshmi e ngjarje, që flasin për kontributin e jashtëzakonshëm të shqiptarëve, sidomos të Kosovës dhe Maqedonisë, për shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së II Botërore. Gjithashtu, u promovua edhe libri “Rrugëtimi – Journey”, i autorëve Skender Asani dhe Albert Rama.

Kryeministri Ramush Haradinaj përgëzoi për organizimin e kësaj ngjarjeje në përkujtim të “Natës së Kristaltë”.

“Sot kujtojmë dhe reflektojmë një natë, e cila njihet si Natë e Kristaltë e që është 9 nëntori i vitit 1938. Në Gjermani, kjo natë gdhiu me thyerjen e xhamave të dyqaneve hebreje, djegien e qindra sinagogave, shkatërrimin e varrezave dhe vrasjen e qindra hebrenjve të pafajshëm. Kjo ishte një hyrje në tragjedinë e madhe njerëzore e njohur si holokaust, si fashizëm, e udhëhequr nga Hitleri”, tha Haradinaj.

“Edhe pse populli shqiptar, në atë kohë ishte në gjendje të rëndë për vete dhe kishte kohë të gjatë në okupim dhe vuajtje, por i njohur me virtytet e larta të bujarisë, mikpritjes, solidaritetit dhe humanizmit, e tregoi veten dhe në ato momente tejet dramatike, nëpër të cilat kaloi populli hebre gjatë Luftës së II Botërore, shqiptarët, si në Kosovë, Shqipëri dhe kudo që ishin, morën rreziqe të mëdha mbi supe për të shpëtuar qindra familje hebreje, të cilat u depërtuan nga vende të ndryshme”.

“Është pranuar botërisht fakti, se derisa në shumë vende harta e ngulimeve hebreje tkurrej, vetëm në tokat shqiptare prezenca zgjerohej. Pra, ishin shqiptarët, ata që hapën dyert e tyre, hapën zemrat e tyre dhe strehuan shumë hebrenj, të cilëve edhe ua dhanë besën dhe as me çmimin e jetës nuk i dorëzuan. Shqiptarët e Kosovës aso kohe dhanë provimin e tyre, por në traditën, kulturën dhe unin tonë si popull, është një vlerë e pashkruar, që mikut mos t’ia përmendim të mirën që ia dhamë në një moment të caktuar kur ai ka nevojë”, shtoi Haradinaj.

“Prandaj, shqiptarët edhe pse ishin më meritorët për shpëtimin e shumë hebrenjve nga Ballkani, pas mbarimit të luftës nuk ngarendën pas dekoratave apo pas çfarëdo kërkese tjetër me aktin e tyre të drejtë që kishin bërë. Mirëpo, e vërteta dhe faktet mbesin, janë prezentë dhe, këto të vërteta dhe fakte i ruajnë edhe në kujtime njerëzit tanë, por edhe ata që u pritën, pranuan dhe u mbrojtën nga shqiptarët”.

“Sot, kam kënaqësinë, që me rastin e shënimit të “Natës së Kristaltë” së bashku me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve dhe Shoqatës “Acta Non Verba” nga Shkupi, të hapim ekspozitën dhe të promovojmë librin dokumentar “Rrugëtimi” nga autorët Skender Asani dhe Albert Rama. Besojmë që përmes punës së tyre hulumtuese dhe shkencore do të dalin në shesh të vërteta të reja lidhur me kontributin e shqiptarëve në këtë kauzë të drejtë”.

“Besojmë se kjo është mënyra më e mirë për të demonstruar vullnetin tonë përkrah popujve të qytetëruar të botës për kujtimin e luftës ndërkombëtare kundër fashizmit dhe antisemitizmit. Jemi rreshtuar në taborin e civilizimeve të botës për të dhënë mesazhe paqeje dhe harmonie mes popujve, pavarësisht racës, gjuhës, fesë apo kombit. I kujtojmë bashkë ato ngjarje të së kaluarës, në mënyrë që ato të mos përsëriten më kurrë”.

Bashkautori i librit “Rrugëtimi – Journey”, Skender Asani, tha se çdo hulumtim tregon që shqiptarët ishin shpëtimtarë të hebrenjve.

Me këtë rast u lexua edhe mesazhi i ambasadorit të Izraelit në Maqedoni dhe atij në Beograd, ku thuhej se shqiptarët janë ”heronj të hebrenjve”.

Kryeministri Haradinaj: Jemi rreshtuar në taborin e civilizimeve të botës për të dhënë mesazhe paqeje dhe harmonie mes popujve

Kryeministri Haradinaj: Jemi rreshtuar në taborin e civilizimeve të botës për të dhënë mesazhe paqeje dhe harmonie mes popujve

Kryeministri Haradinaj: Jemi rreshtuar në taborin e civilizimeve të botës për të dhënë mesazhe paqeje dhe harmonie mes popujve

Kryeministri Haradinaj: Jemi rreshtuar në taborin e civilizimeve të botës për të dhënë mesazhe paqeje dhe harmonie mes popujve

 

Të ngjashme