Ekstradohet nga Zvicra një i dyshuar për mashtrim, Policia jep detaje

Prishtinë | 01 Pri 2026 | 16:06 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka njoftuar për ekstradimin e një shtetasi kosovar të dyshuar për mashtrim, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar.

Sipas njoftimit, më 1 prill 2026, njësitet e Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me institucionet relevante vendore dhe ato të drejtësisë, kanë realizuar ekstradimin e personit me inicialet B.Z. nga Zvicra në Kosovë.

“Policia e Kosovës, me njësitet e saj nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, me datë 01.04.2026 ka bërë ekstradimin e shtetasit Kosovar B.Z. nga Zvicra për në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Autoritetet bëjnë të ditur se i dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet zvicerane pasi kërkohej përmes Interpolit.

“I dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet zvicerane pasi që i njëjti kërkohej përmes Interpolit me letër rreshtim ndërkombëtar lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës, për veprën penale ‘Mashtrim’ dhe se i njëjti iu ishte shmangur drejtësisë”, thekson Policia.

Sipas njoftimit, ekstradimi është realizuar në bazë të ligjeve në fuqi dhe falë bashkëpunimit ndërinstitucional mes Kosovës dhe Zvicrës.

“Ekstradimi u realizua bazuar në ligjet në fuqi dhe falë bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre Zvicerane”, thuhet më tej.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë në luftimin e kriminalitetit.

“Policia e Kosovës do vazhdoj me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale që ndërlidhen me hetimin e kryesve të veprave penale, si dhe aktivitete tjera në gjurmimin, kapjen-arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit”, thuhet tutje në njoftim.

Të ngjashme