Ish-drejtuesi i “WikiLeaks”, Julian Assange mund të largohet nga ambasada e Ekuadorit në Londër pa asnjë rrezik për jetën apo lirinë, sipas qeverisë së këtij vendi të Amerikës së Jugut.
“Qeveria britanike na ka njoftuar se sipas ligjit, ai nuk mund të ekstradohet në një vend ku jeta e tij është në rrezik apo ku mund të përballet me dënimin me vdekje”, deklaroi presidenti ekuadoras, Lenin Moreno.
“Tani është hapur rruga për Assange që të largohet nga ambasada. Atij do t’i duhet të përballet me një gjykim të shkurtër për shmangie të autoriteteve britanike. Nuk do të jetë i gjatë”, tha Moreno.
Ekuadori është përpjekur prej më shumë se gjashtë vite që t’i japë fund azilit të Assange në ambasadën e tij në Londër.