Guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom, shpalli sot gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të mbërritjes së fenomenit klimatik “El Nino” në bregun perëndimor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili pritet të sjellë pasoja të rënda.
Sipas parashikimeve, rajoni mund të goditet nga stuhi të fuqishme dhe shkatërruese, ndërsa ekziston edhe rreziku i baticave të larta, të cilat mund të shkaktojnë përmbytje.
“Ky vendim synon t’u ofrojë komuniteteve mbështetjen që u nevojitet, t’u japë autoriteteve mjetet për të përmbushur detyrat e tyre dhe të qetësojë familjet, duke u treguar se shteti i tyre është i përgatitur”, deklaroi ai shkruajnë mediat amerikane.
Masa e shpallur ka, ndër të tjera, qëllim sigurimin paraprak të pajisjeve për përballimin e përmbytjeve, si thasët me rërë dhe pompat e ujit.
Autoritetet bënë të ditur se kjo masë i mundëson gjithashtu Gardës Kombëtare të Kalifornisë të përgatitet për operacione kërkimi, shpëtimi, inxhinierike dhe logjistike.
“El Nino” është një fenomen natyror klimatik që përsëritet çdo dy deri në shtatë vjet dhe lidhet me thatësira, përmbytje dhe temperatura rekord në pjesë të ndryshme të botës.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Oqeanografisë dhe Atmosferës së SHBA-së (NOAA), fenomeni vazhdoi të forcohej gjatë muajit gusht dhe tashmë ka 75% mundësi të bëhet më i fuqishmi i regjistruar ndonjëherë.
Në të kaluarën, El Nino ka shkaktuar ose përforcuar thatësirat dhe rrezikun e zjarreve në disa rajone të Amazonës, Amerikës Qendrore, Indonezisë dhe Australië.
Ai ka ndikuar gjithashtu në çrregullime të musoneve në Indi dhe në reshje të dendura në Afrikën Lindore.