Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj dhe nënkryetari Besim Hoti, sot janë takuar me deputetin e Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, Këshilltarin Politik në Zyrën e Kryeministrit, Isa Osmani dhe zëvendësministrin e Pushtit Lokal, Bashkim Krasniqi, me të cilët është biseduar për rrjedhat e përgjithshme në Komunën e Klinës dhe problemet e sfidat me të cilat ballafaqohet komuniteti egjiptian në këtë Komunë.
Elezaj, ka premtuar mbështetje për gjitha komunitetet, edhe për atë egjiptian, duke u bazuar edhe në mundësitë buxhetore që ka Komuna, në realizimin e projekteve që lehtësojnë jetën e banorëve të këtij komuniteti.
Deputeti i PLK-së në Kuvendin e Kosovës, Berisha, ndër të tjera kërkoi nga kryetari i Komunës, Elezaj, që t’i shikojë mundësitë, qe nënkryetarin e dytë të Komunës së Klinës ta emërojë nga komuniteti egjiptian, si komuniteti më i madh në këtë komunë.
Elezaj, tha se do të shikojmë mundësitë buxhetore, ligjore dhe në koordinim edhe me nivelin qendror për këtë çështje.
Deputeti Berisha, gjithashtu kërkoi përfaqësim me të madh në institucione të komunitetit egjiptian dhe zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohen.
“Komuna e Klinës angazhohet për realizimin e projekteve për të gjithë banorët në mënyrë të barabartë. Trajtimi në qeverisjen time do të jetë i njëjte pa asnjë dallim. Planifikojmë të realizojmë projekte nga të cilat do të përfitojnë qytetarët e Klinës. Të gjithë qytetarët, edhe ata të komunitetit egjiptian e kanë derën e hapur për bashkëpunim ”, ka thënë ndër të tjera Elezaj.
Në takim ishte i pranishëm edhe kryetari i degës së PLE-së në Klinë, Halil Kerellaj, i cili njoftoi se në Komunën e Klinës jetojnë 1800 egjiptianë.