Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, do publikojë dhe njeh rezultate vetëm për kandidatët e certifikuar, të cilët votohen më 14 shkurt nga qytetarët.
Kështu ka bërë të ditur vet zëdhënësi i këtij Komisioni, Valmir Elezi, i cili në Info Magazine, dha detaje rreth procedurave të tilla të votimit dhe numërimit të votave, njofton Klan Kosova.
”KQZ ka qartësuar tashmë çështjen sa i përket mënyrë së votimit. Një votues në ditën e zgjedhjeve, do të ketë një fletëvotim”.
”Votuesit duhet të zgjedhin vetëm njërin prej 28 subjekteve politike. Votuesit i takon të zgjedh më së shumti pesë kandidatë të atij subjekti politik që e dëshiron pjesë së legjislaturës së ardhshme”.
”Nëse një qytetar bën shenjë, një numër të një kandidati i cili nuk është i certifikuar, atëherë vota ndaj tij nuk llogaritet”.
”Në formularët e rezultatit të kandidatëve, regjistrohen votat për kandidatët që janë të certifikuar nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”.
Çka nëse vëzhguesit e subjekteve politike, vendosin t’i njohin ato vota që janë dhënë për kandidatin që nuk është i certifikuar nga KQZ?
”Komisionerët i kanë të qarta detyrat dhe përgjegjësitë ligjore që kanë. Formulari i rezultateve që është miratuar nga ana e KQZ-së, ka hapësirën për të regjistruar, për të paraqitur të dhënat për kandidatët që janë paraqitur nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për secilin prej subjekteve politike që është në garë”.
A mundet vëzhguesit prej subjekteve politike, të llogarisin votat e kandidatëve që nuk janë pjesë e formularëve të certifikuar nga KQZ?
”Vëzhguesit janë prezentë në vendvotim, ata janë të lirë të marrin shënime të cilat atyre iu interesojnë”.
”KQZ publikon rezultate për kandidatët të cilët i ka certifikuar”.