Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se në Mitrovicën e Veriut në ditën e zgjedhjeve do të lejohet votimi vetëm me dokumente të vlefshme të lëshuara nga institucionet e Kosovës.
“Sipas ligjit dhe udhëzimit të KQZ-së janë vetëm katër dokumente të cilat mund të përdoren për tu identifikuar në vendvotim, votuesi mjafton ta ketë njërin prej tyre. Bëhet fjalë për: letërnjoftim, pasaportë, dokument i udhëtimit dhe patentë shofer i vlefshëm. Të gjitha këto dokumente duhet të jenë të lëshuara nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe të jenë valide. Ky udhëzim i KQZ-së vlen për të gjitha komisionet komunale dhe për të gjitha këshillat e vendvotimit në të gjitha komunat”, është shprehu ai.
Elezi ka treguar se udhëzuesi i miratuar njofton komisionerët për dokumentet me të cilat mund të votohen në ditën e zgjedhjeve
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar udhëzuesin përmes së cilit pra njoftohen apo udhëzohen komisionet komunale të zgjedhjeve si dhe këshillat e vendvotimeve në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës për dokumentet të cilat janë të pranueshme për t’u identifikuar një votues në ditën e zgjedhjeve” ka thënë ai.
Sipas Elezit KQZ-ja do të punojë që më 14 shkurt të gjithë qytetarët të mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar.
“Ne besojmë që përgatitjet të cilat po i zhvillojmë dhe të cilat janë duke u bërë njëkohësisht në të gjitha komunat e Kosovës. Besojmë që brenda kësaj periudhe që ka mbetur do të arrijmë t’i kryejmë të gjitha detyrat tona dhe në ditën e zgjedhjeve në të gjitha komunat qytetarët të mund të shprehin vullnetin e tyre pra të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar”, ka thënë ai.