Njohësi i çështjeve të sigurisë, Bedri Elezi, e ka quajtur imazh të rëndë për Kosovën protestën e Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës e njohur si FIT. Ai kërkesat e tyre i quan të drejta dhe lehtë të realizueshme, raporton Ekonomia Online.
Elezi e konsideron të rëndë këtë protestë për shkak edhe të sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, pasi kjo njësi konsiderohet i rëndësishëm për sigurisë e Kosovës.
Ai ka pasur edhe kritika në drejtim të krerëve të institucioneve, për shkak të lavdeve që patën për Policinë pas sulmit në Banjskë.
Teksa ka folur për protestën e sotme, Elezaj e quan të natyrshme për të kërkuar të drejtën e tyre.
“Është shumë pamje e rendë ajo që kemi parë sot, ku njësiti elitar i Policisë së Kosovës, u detyruan që të zgjedhin rrugën dhe protestën për të kërkuar detyrimet që ka Ministria e Punëve të Brendshme përkatësisht Qeveria e Kosovës. Është e vështirë të protestohet për çështjet elementare të policisë së Kosovës apo detyrimin që Qeveria e Kosovës ka për Policinë e Kosovës. Kjo protestë është një imazh shumë i rendë për Kosovën, sidomos pas datës 24 shtator ku të gjithë ishim përcaktuar së policia e Kosovës është organ shumë i rëndësishëm dhe siguria është primare për Kosovën, kemi parë lëvdatat të shumta si nga presidentja, kryeministri, kryetari kuvendit, edhe ministri i Punëve të Brendshme, por sa i përket veprimeve konkrete për të mbështet policinë e Kosovës nuk ka, madje jo për të mbështetur por edhe nuk kryen detyrimet dhe obligimet që i kanë ndaj policisë së Kosovës. Kjo proteste ishte krejt natyrale dhe ishte mënyra e vetme dhe fundit për të kërkuar policia Kosovës detyrimet që kanë institucionet e Kosovës për ta”, thotë Elezi për EO.
Elezi shpreson në reflektim të institucioneve karshi kërkesave që i kanë këto njësi. Ai i konsideron më të ekspozuarit karshi rrezikut nga shteti serb.
“Dua të shpresoj dhe besoj që duhet me pas një reflektim të institucioneve të republikës së Kosovës për zbatimin e zotimeve dhe premtimeve që kanë policinë e Kosovës, e veç masë përmbushjen e detyrimeve sepse vazhdojnë të japin një kontribute të jashtëzakonshëm për sigurinë e Kosovës, e cila mund të themi është më e brishta në rajon, dhe janë këta djemtë e vajza që janë të ekspozuar realisht më së shumti së gjithë të tjerët para rrezikut që po kanosët nga Serbia, dhe mbështetësit e saj”, u shpreh ai.