Elezi tregon se kur do të tërhiqet shorti dhe kur do të fillojë fushata zgjedhore?

Prishtinë | 28 Gus 2025 | 08:42 | Nga Ekonomia Online

Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimet për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, pritet që të bëhet javën e ardhshme.

Kështu ka deklaruar për Ekonomia Online, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi.

“Sipas planit të KQZ-së, tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimet për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale do të bëhet më 3 ose 4 shtator 2025”, ka thënë Elezi, duke shtuar se për ditën dhe orën e saktë, do të njoftojnë me kohë.

Ai ka theksuar se për datën dhe orën e saktë do të njoftohet me kohë dhe se ky aktivitet do të zhvillohet në mënyrë të plotë transparente dhe në praninë e përfaqësuesve të subjekteve politike të certifikuara.

“Ky aktivitet do të zhvillohet në transparencë të plotë, si dhe në praninë e përfaqësuesve të subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në këto zgjedhje,” ka shtuar ai.

Elezi ka bërë të ditur edhe datën e fillimit të fushatës zgjedhore për Zgjedhjet Lokale.

“Periudha e fushatës zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale do të fillojë më 13 shtator dhe do të përfundojë më 12 tetor, në orën 06:59,” ka theksuar ai.

Të ngjashme