Elona Agolli, vajza e shkrimtarit të madh Dritëro Agolli, ka publikuar një status prekës në llogarinë e saj në rrjetin social Facebook, dedikuar të atit të saj, i cili u përcoll ditën e diel për në banesën e fundit.
Ajo ka theksuar se nuk është e lehtë për të, që përballë dashurisë së pakufi e pa kushte për Agollin, të pranojë ligjet e natyrës e faktin që jeta është proces.
Postimi i plotë i Elona Agollit:
Ati im Dritëro,
Ke shkruar aq shumë poezi për vdekjen, duke dashur të sfidoje ankthin prej saj. E mallkuara të mposhti; të mposhti fizikisht e përkohësisht.
Dritëroi po fle, dhe në ëndrrat e gjithkujt do shfaqet përherë si bardi Dritëro që kurrë vdekje nuk ka.
Ati im, nuk më ndodhesh pranë fizikisht, unë nuk të ledhatoj dot flokët e bardha e të bukura tanimë, unë nuk këmbej dot mendime dhe ide të mençura , por unë të lexoj, të ndjej, të kam të gjallë.
Më thoje dikur që “e di ti si thotë një i ditur?: Sa më larg distancohesh nga ndërtesat e larta, aq më të larta duken”
Dhe ti Ati im je si ai monument i lartë që përherë do na shëmbëllesh edhe më i lartë.
Nuk është e lehtë për mua vajzën, që përballë dashurisë së pakufi e pa kushte për Atin, të pranojë ligjet e natyrës e faktin që jeta është proces.
“Mos vdis në dhomën e heshtur i shtrirë,
Është turp kaq shpejt të rrish e të vdesësh
Ne ëndërronim një vdekje pak më të mirë
Duke vdekur fytyrat tona t’i shihnim në pikën e vesës.”. gjëmon zëri i poetit, në “Ëndërr e prerë”.
Ati im i shenjtë Dritëro lamtumirë.