Teksa na ndan pak më shumë sesa një muaj nga nisja e Festivalit të RTSH, kanë nisur të dalin në pah pakënaqësitë e para ndaj këtij kompeticioni të rëndësishëm për vendin tonë.
Tashmë janë bërë publikë edhe emrat e artistëve që do të këndojnë “live” në netët e spektaklit, ku shumë i përfolur ka qenë edhe emri i Elsa Lilës, si një nga pretendentet për ta fituar këtë kompeticion e për të çuar Shqipërinë në Eurosong vitin e ardhshëm.
Por gjithçka nisi të përflitej, kur dy emra të njohur të muzikës shqiptare, Kejsi Kota dhe Samanta Karavello u tërhoqën nga gara. Në shorteun e hedhur nga festivali për renditjen e këngëtarëve, ato nuk u përmendën. Ato janë zëvendësuar nga “Peter Pan Quartet” me këngën “Edhe një herë” dhe Irma Lepuri me “Më prit”.
Dy emra këto tërësisht anonimë, në krahasim me dy artistet e lartpërmendura. Në komente në rrjetet sociale, komentuesit kanë shkruar se arsyeja e kësaj tërheqjeje është pikërisht fituesi i paracaktuar. Madje, edhe në portale ka nisur të flitet se këtë vit fituese do të jetë pikërisht Elsa Lila.
Kujtojmë se vitin e shkuar, artistja ishte një nga pretendentet për ta fituar këtë garë dhe për të dërguar vendin tonë në Eurosong. Elsa arriti të merrte vendin e parë të këtij kompeticioni, megjithatë me votat e publikut, ishte Albina Kelmendi ajo që e çoi Shqipërinë në Eurosong. Këtë vit duket se gara për Elsën është edhe më e lehtë.
“Panorama Plus” ka kontaktuar me të dyja artistet e tërhequra nga gara për të mësuar më shumë rreth arsyeve që i çuan në këtë vendim.
Kejsi Tola nuk ka pranuar të flasë rreth vendimit të saj, duke preferuar që të kalojë gjithçka në heshtje. Nga ana tjetër, ka qenë menaxheri i Samantës, që ka zbuluar vetëm pak rreth vendimit të këngëtares.
“Çfarë kemi pasur për të thënë, e kemi thënë. Do të flasim pas festivalit”, u shpreh ai shkurtimisht për “Panorama”, duke nënkuptuar se jo gjithçka është thënë nga ana e këngëtares.
Festivali i këngës do të mbahet nga datat 19-22 dhjetor 2023. Votimi do të jetë i njëjtë me vitin e kaluar. Publiku do të vendosë përmes televotimit se kush do e përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2024 si çmim special dhe juria do të përzgjedhë fituesin e festivalit dhe çmimet tjera.
Zbulohet se vendimi surprizë i organizatorëve të Festivalit të Këngës në RTSH, se kujt do t’ia besojnë një pjesë të moderimit të eventit gjigant, ajo është deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adriana Matoshi. Kjo është një përgjegjësi për këtë të fundit, e cila ka vendosur ta marrë përsipër.
“Është një sfidë e madhe për mua, por më pëlqejnë sfidat. Mezi po pres që të fillojë festivali dhe të kënaqemi me këngët që i keni përzgjedhur. Suksese të gjithëve dhe uroj që të kënaqemi bashkë”, u shpreh aktorja, e cila shtoi se, “do të jem një prezantuese e re, që për herë të parë në jetën time marr pjesë në këtë event”.
Ekipi që do të realizojë festivalin e këtij viti përbëhet nga Bojken Lako, drejtori artistik; Enkel Demi si skenarist, kantautori Elton Deda, regjisori Pali Kuke. Më herët edhe Almeda Abazi është përfolur si një nga moderatoret e mundshme të këtij formati, por duket se bukuroshja nuk do të ngjitet në skenën e Pallatit të Kongreseve, duke u tërhequr nga bisedimet për të qenë ajo figura kryesore e këtij spektakli.