Zëri engjëllor përshtatet fort mirë me karakterin e saj, ëmbëlsia me buzëqeshjen e thellësia e teksteve me shpirtëroren.
Elsa Rraqi është vetëm 19-vjeçare, por tashmë ka shkruar dhe kompozuar tetë këngë.
Dhjetorin e vitit të kaluar, në paraqitjen e parë publike në një prej kafeneve të kryeqytetit, ajo shpalosi talentin para një numri jo fort të vogël në audiencë.
Në një ambient intim, Elsa bëri për vete të gjithë. E më së shumti deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Fisnik Ismaili. Ai madje edhe u përlot. Falë një postimi që ai bëri në faqen e tij zyrtare në Facebook, talenti i Elsës u pa nga mijëra njerëz.
E një prej tyre ishte edhe Fatjon Miftari, i cili e ndihmoi që të kontaktoj edhe shumë këngëtarë të tjerë të tillë si Shpat Deda e Genc Salihu.