Elshani i PDK-së: Karantina në Kosovë ka dështuar krahasuar me vendet fqinje

Prishtinë | 05 Maj 2020 | 14:11 | Nga Ekonomia Online

Arianit Elshani, përfaqësues i PDK-së në KQZ, ka postuar në facebook një koment për tre treguar sa keq është karantinën që ka organizuar qeveria e Kosovës duke e krahasuar me masat e karantinimit që kanë bërë vendet fqinje . Për Elshanin vdekja e Agon Musliut vulosi dështimin e qeverisë me menaxhimin e karantinës për të riatdhesuarit. Sipas tij në karantinën që ka organizuar ministria e shëndetësisë e Kosovës, ka pasur “neglizhencë, papërgjegjshmëri por edhe për mungesë rregulli, mosrespektim distance, tubime të brendshme, kushte të këqija e mangësi hidrosanitare”.

Elshani krahason rreth 500 vendet e kufizuara me kushtet e këqia të karantinës së Kosovës me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë, që kanë pajtuar hotele për karantinë duke i siguruar kushte më të mira të riatdhesuarve por edhe duke i dhënë një ndihmë ekonomike hotelerisë që është veçanërisht e prekur në këtë periudhë. Sipas të dhënave që ka nxjerrë Elshani Mali i Zi edhe pse sa 1/3 e Kosovës ka në dispozicion 1200 vende karantinë, Maqedonia e Veriut 2300 ndërsa Shqipëria 2000.

Postimi i plotë i Arianit Elshanit të PDK-së në facebook është:

Vdekja e Agon Musliut vulosi dështimin e menxhimit të karantinës në Qendrën Studentore ku u vendosën qytetarët e riatdhesuar të Kosovës. Tashmë kanë dalë mjaftueshëm fakte jo vetëm për neglizhencë e për papërgjegjshmëri por edhe për mungesë rregulli, mosrespektim distance, tubime të brendshme, kushte të këqija e mangësi hidrosanitare.

Partia Demokratike e Kosovës ka bërë shumë herë thirrje për të shtuar kapacitetet e karantinimit në mënyrë që të mundësohej riatdhesimi i sa më shumë shtetasve kosovarë që shprehën vullnetin për tu kthyer në vendlindje. Mirëpo qeveria u mjaftua vetëm me kapacitetet prej rreth 500 vendesh të Qendrës Studentore.

Për ta kuptuar dështimin me menaxhimin e karantinës që ka bërë ministri i shkarkuar i Lëvizjes Vetëvendosje, duhet parë se çfarë kanë bërë vendet fqinje, dhe menjëherë duket kontrasti i madh. Ndryshe prej Shqipërisë dhe vendeve fqinje, qeveria Kurti zgjodhi një model unik të karantinimit në konvikte, model që nga fillimi u kritikua për “ferrin” “depresionin” dhe hutinë në të cilin kalonin bashkëqytetarët tanë. Ndryshe nga ne, e më mirë se ne, Shqipëria vendosi në shërbim të karantinimit: kavalishencën shtetërore (shtëpia e pushimit të ushtarëve) në Durrës me kapacitet maksimal prej 350 vendeve buzë detit. Po ashtu qeveria Rama ka pajtuar 14 hotele në plazhin e Durrësit dhe Golemit me kapacitet rreth 950 dhoma. Po ashtu Tirana zyrtare ka pajtuar edhe hotele private në zonat kufitare sikurse janë dy hotele në Korçë, një hotel në Gjirokastër, një në Pogradec dhe dy në Kukës. Pra në total Republika e Shqipërisë ka vënë në dispozicion rreth 2000 vende karantinimi në ambiente hotelerike.

Ndryshe nga ne, e më mirë se ne, edhe Mali i zi vendosi në shërbim hotele private me rreth 1200 shtretër në total për karantinim, kryesisht në bregdet. Ndryshe nga ne, e më mirë se ne, Maqedonia e Veriut, vendosi në shërbim të karantinimit të të riatdhesuarve rreth 2300 vende, duke kombinuar hotele private dhe ambiente shtetërore. Gjithashtu, Shqipëria, Mali i Zi e Maqedonia e Veriut morrën parasysh ndikimin psikologjik e social që ka karantinimi, andaj qytetarët i trajtuan me dinjitet duke iu ofru komoditetin dinjitoz të hoteleve.

Këtu kanë pasur efekt të dyfishtë, sepse nga njëra anë iu mundëson të karantinuar kushte më të pranueshme të hoteleve në ambiente turistike të pelqyeshme dhe nga ana tjetër iu ka ardhur në ndihmë financiarisht hoteleve në këto rrethana të vështira për ta. Sistemi hotelerik ka qenë sektori ekonomik më i goditur nga kriza e pandemisë dhe pajtimi i hoteleve nga shteti për t’u përdorur si karantinë do iu mundësonte edhe një ndihmë ekonomike.



Të ngjashme