Elshani tregon se pse e kërcënoi kryeministrin Haradinaj

Prishtinë | 14 Jan 2019 | 12:36 | Nga Ekonomia Online

I dyshuari për kërcënim ndaj kryeministrit B. Elshani, para gjykatës është arsyetuar në lidhje me postimin e tij, të cilin prokuroria e cilësoi si përgatitje të veprave terroriste.

Në aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës me të cilin i është caktuar masa e paraburgimit, i dyshuari Elashani, para gjykatës ka thënë se nuk ka pasur asnjë qëllim ta kërcënojë kryeministrin Haradinaj.

“Siç e kam thënë edhe në deklaratë, nuk ka qenë qëllimi im që ta kërcënoj kryeministrin sepse edhe po të doja nuk kam mundësi ndërsa kam menduar se ai nuk e do fenë islame duke i dëgjuar disa deklarata se po flet keq për myslimanët”, tha Elshani në Gjykatë.

Elshani, në seancën për caktimin e masës së sigurisë ka thënë se postimin e cilësuar si kërcënues nga prokuroria e ka bërë nga mendjelehtësia.

“Unë me atë postim i cili nuk ka qenë i imi por e kam përdorur dhe e kam qit veç si thënie por nuk kam pasur ndonjë qëllim të keq por krejtësisht nga mendjelehtësia e kam kryer këtë ashtu që edhe njëherë i kërkoj falje gjykatës”, përshkruan aktvendimi i Gjykatës thëniet e Elshanit në gjykatë.

Po ashtu, Elshani është arsyetuar para gjykatës duke thënë se nuk e ka ditur se postimi i tillë mund të paraqesë ndonjë vepër penale sepse nuk është i provuar me vepra penale.

Megjtihatë, Gjykata Themelore e Prishtinës, i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndërsa Elshani ndaj këtij vendimi ka të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit.

“I pandehur B.E. gjatë fundit të vitit 2018 dhe në fillim të vitit 2019, është angazhuar në përgatitjen e akteve terroriste në Kosovë, ashtu që më 10 janar 2019, duke shfrytëzuar rrjetet sociale ka publikuar foto kërcënuese ndaj Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, më mbishkrimin “Do t’ju vijë fundi o taguta shqiptar Bi’Idhnilah”, i bërë nga një person i maskuar, e në prapavijë shihet flamuri i organizatës terroriste ISIS”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë Speciale më 12 janar të këtij viti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme