Deputetët e deritanishëm të Lëvizjes Vetëvendosje Eman Rrahmani dhe Visar Korenica, kanë zyrtarizuar kalimin në “Listën për Familjen”, udhëhequr nga Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë për zgjedhjet e 9 shkurtit, raporton Ekonomia Online.
Dy deputetët Rrahmani e Korenica ishin kundër Kodit Civil dhe kohë pas kohe kishin bindje ndryshe nga partia e Kurtit. Ish-deputeti i VV-së, Eman Rrahmani, ka treguar arsyen e largimit nga partia që udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti.
Rrahmani ka thënë se arsyeja e largimit të tyre ndërlidhet me Projekt-Kodit Civil, e largimin masiv të qytetarëve nga vendi.
“Projekt-Kodi Civil që me disa dispozita cenon familjen tradicionale, projektligji për shëndetin riproduktiv që legalizon fertilizimin me donim pa identitet të njohur që dërgon në incest e të mos flasim për cenimin e familjes. Lejimi i ndërrimit të gjinisë sipas ndjesisë në projektligjin për gjendjen civile madje edhe tek fëmijët si dhe shumë aktivitete në Ministrinë e Kulturës dhe Ministrinë e Arsimit na kanë obliguar që të bashkohemi dhe të mendojmë dhe të veprojmë rreth angazhimit politik për familje. Vazhdimi i ikjes së të rinjve, familjeve, punëtorëve profesionistë dhe kategorive tjera shoqërore është bërë barrë e madhe që po e rëndon Kosovën”.
“Mosngritja e koeficientit të pagave në sektorin publik, paga e ulët minimale, vazhdimi i nepotizmit dhe shumë dukuri tjera gjatë kësaj periudhe që jemi munduar të japim kontributin tonë përmes amandamentimeve në komisione, asnjëherë nuk kanë gjetur nga subjekti politik por as nga grupi ynë parlamentar”.
“Vazhdimi i mos zhvillimit të përmirësimit në ekonomi, arsim e shëndetësi kanë qenë problemet kryesore që kanë vazhduar ta vështirësojnë jetën e qytetarëve. Për gjatë më shumë se tri viteve kemi arritur të ndalim shumë iniciativa që cenojnë familjen tradicionale në vendin tonë. Për këtë dua të falënderoj secilin deputet për qëndrueshmërinë e treguar dhe ruajtjen e kauzës së familjes. Përkundër tentativës se pushtetit për të krijuar narrativën se këto ligje janë kushte për integrime evropiane, këto nuk kanë qenë kushte asnjëherë për asnjë vend dhe nuk do të jenë as për Kosovën”.
“Këto ligje kanë qenë të papranueshme për pothuajse të gjitha vendet e rajonit por edhe për një pjesë të madhe të shteteve evropiane që edhe sot nxjerrin ligje për ruajtjen e familjes dhe fëmijëve. Duke e parë këtë situatë nga sot unë dhe deputeti Visar Korenica nuk do të jemi pjesë e LVV pasi tashmë është caktuar data e zgjedhjeve dhe parimisht ka përfunduar mandati i deputetit”, ka thënë ai.
Rrahmani tha se mbështetjen për mbrojtjen e kësaj “kauze” e gjetën nga Partia e Drejtësisë dhe se më pas atyre iu është bashkuar edhe AKR-ja.