Emanuel Macron ka fituar përsëri zgjedhjet presidenciale në Francë. Exit Pollet tregojnë se ai ka fituar 58,2 për qind të votave, ndërkohë që kundërkandidatja e tij nga e djathta ekstreme, Marine Le Pen, ka fituar 41,8 për qind të votave.
Kështu, Macron bëhet i pari politikan në Francë në dy dekadat e fundit, i cili rikonfirmon postin e tij në krye të Elysee-së.
Ajo çfarë bie më së shumti në sy ishte abstenimi i francezëve.
Nga personat me të drejtë vote, 71.8% kanë marrë pjesë aktivisht në zgjedhje dhe abstenimi shkon në 28.2%.
Kjo është edhe shifra më e ulët e pjesëmarrjes në raundin e dytë të presidencialeve franceze që prej vitit 1969.
Mbështetësit në kampin e Macron kanë shpërthyer në brohorima menjëherë pas shpalljes së rezultatit.
Ata janë mbledhur në një shesh pranë Kullës Eiffel, ku Macron pritet të mbajë edhe fjalimin e fitores.
Nga ana tjetër, ende nuk ka një reagim të parë nga Marine Le Pen mbi rezultatin zgjedhor.
Ajo që vlen të thuhet gjithsesi, është fakti se katër në 10 francezë e kanë votuar atë dhe programin e saj të së djathtës ekstreme – shifra më e lartë e arritur ndonjëherë në raund të dytë nga kjo forcë politike.
Një ndër ndarjet më të mëdha mes dy kandidatëve ka qenë pikërisht diplomacia dhe qasja ndaj Bashkimit Evropian.
Pavarësisht zbutjes që Le Pen i bëri programit të saj, duke pranuar qëndrimin e Francës në BE, duket se kjo nuk ka mjaftuar.