Emërllahu: S’ia kemi frikën Rumanisë, hyjmë vetëm për fitore

Prishtinë | 13 Nën 2024 | 15:35 | Nga Ekonomia Online

Kombëtarja e Kosovës është duke u bërë gati për sfidat që e presin në këtë muaj, të cilat do ta mbyllin këtë kampanjë të Ligës së Kombeve për Dardanët.

Natyrisht, fokusi i lojtarëve është faktikisht tek dueli i së premtes me Rumaninë, i cili do të jetë edhe përcaktues për pozitën e parë në Grupin 2 të Ligës C në Ligën e Kombeve.

Trupa e trajnerit Franco Foda ushtroi edhe sot në Kampin Nacional në Hajvali, njëjtë si dje, ndërsa të hënën ishte grumbulluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Tek Verdhekaltrit u pa edhe sot një pozitivitet para përballjes me rumunët.

Lindon Emërllahu beson se Dardanët mund të dalin mirë nga sfida që i pret pas dy ditësh ndaj rumunëve, të cilëve shton se ekipi nuk ua ka frikën.

“Besoj që atmosfera është mjaft e mirë në ekip. Siç po e shihni edhe ju, jemi përgatitur mjaft mirë për këtë ndeshje. Secili lojtar e di rëndësinë e kësaj ndeshjeje dhe besoj që do të futemi në lojë vetëm për tri pikë.”

“Besoj që me prurjet e reja të cilat janë, besoj se secili lojtar mund ta tregojë veten në këto dy ndeshje që do t’i kemi.”

“E dimë që Rumania e ka një ekip mjaft të mirë dhe është në vend të parë. Po ashtu, ne nuk kemi frikë nga asnjë ekip. E kemi një ekip mjaft të mirë dhe do të hyjmë vetëm për fitore.”

Të ngjashme