Besnik Loxha është zgjedhur ushtrues detyre i Sekretarit të Përgjithshëm të Universitetit të Prishtinës, në një mbledhje të jashtëzakonshme që ka mbajtur të premten Këshilli Drejtues.
Kryesuesi i Këshillit Drejtues, Altin Sahiti, ka thënë se emërimi i Loxhës ka ardhur si rezultat i “shumë ndryshimeve”.
“Besniku, erdhi pas propozimit të dy Rektorëve dhe erdhi si rezultat i shumë ndryshimeve që janë bërë brenda UP-së. Instalimi i meritokracisë dhe i kritereve tjera të vendosura në Statutin e ri, ngadalë po e vëjnë në pah ndryshimin që po ndodhë dhe hapja që ka ndodhur”, ka shkruar në Facebook.
Përzgjedhja e Loxhës vjen një ditë pas shkarkimit të Besfort Krasniqit nga pozita e Sekretarit të Përgjithshëm të UP-së. Këshilli shkarkimin e ka arsyetuar me tejkalimin e kompetencave që ka bërë Krasniqi dhe tejkalimin e vlerës së buxhetit të planifikuar.
Sipas Sahitit, Krasniqi kishte anashkaluar kompetencat e organit kryesor qeverisës të universitetit në tenderin për funksionalizimin e objektit të Fakultetit të Bujqësisë. Por, Krasniqi u akuzua edhe për shpalljen e tenderëve pa planifikim paraprak të buxhetit.