Emigrantët nuk preferojnë azilin, qëndrojnë ilegalisht në Kosovë

Prishtinë | 02 Mar 2020 | 08:36 | Nga Ekonomia Online

Trendi i fluksit të azilkërkuesve në Kosovë po vazhdon të rritet, thonë në Ministrinë e Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës.

Deri më tani, sipas shifrave zyrtare nga kjo ministri, numri i emigrantëve që kanë hyrë në Kosovës ka kaluar numrin 900 veta, vetëm gjatë dy muajve të parë këtij viti.

Valon Krasniqi, drejtor i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion, thotë për Radion Evropa e Lirë, se në fillim të këtij viti është shënuar trend i rritjes së azilkërkuesve në krahasim me dy vjetët e kaluara.

“Prej tyre, sirianët dominojnë, janë rreth 300 vetëm nga Siria, pastaj 56 persona i kemi nga Palestina (Autoriteti Palestinez), 54 nga Iraku, nga Maroko 63, Algjeria 27, Afganistan 26. Kemi edhe nga vendet e tjera nga, Irani, Tunisi, Jemeni, Egjipti, Libani”, tha Krasniqi.

Krasniqi ka shpjeguar për Radion Evropa e Lirë, se nga mbi 900 personat që kanë hyrë në Kosovë në dy muajt e fundit, vetëm 540 prej tyre kanë shprehur dëshirën që të plotësojnë aplikacionin dhe të kërkojnë azil në Kosovë.

“Përveç azilkërkuesve kemi edhe mbi 300 emigrantë të tjerë që kanë kaluar në territorin e Kosovës, mirëpo [disa] nuk e kanë parashtruar aplikacionin për azil dhe të njëjtit besohet se kanë lëshuar territorin brenda apo pas 72 orëve”, tha Krasniqi.

Krasniqi thotë se azilkërkuesit kur duan të largohen nga Kosova, fillimisht si destinacion e kanë Serbinë, prej nga vazhdojnë drejt vendeve të zhvilluara evropiane.

Një numër i konsiderueshëm i emigrantëve të cilët kanë lënë Kosovën, kanë shkuar në Serbi dhe pasi kanë qëndruar më gjatë se 10 ditë në rrugë dhe nëpër shtëpi të pabanuara, janë kthyer sërish në Kosovës.

Ammar Bero, 30 vjeç, në muajin janar kishte qëndruar në Kosovë për më shumë se 10 ditë dhe më pas ishte larguar në Serbi, ku ka qëndruar për më shumë se 10 ditë.

“Kam shkruar në Serbi dhe na kanë takuar shumë njerëz, por nuk na kanë mirëpritur. Gjithçka në Serbi ishte keq. Policia nuk është sjell mirë me ne, gjithçka ishte e papërballueshme. Kemi tentuar të dalim në Hungari, por policia na ka maltretuar dhe na ka rrahur”, tha Bero.

Ai, aktualisht po qëndron në një shtëpi private në Prishtinë ku paguan qira.

Bero thotë se nuk ka pranuar që të kthehet në Qendrën e strehimit për azilkërkues në fshatin Vranidoll, meqë ka humbur të drejtën, pasi nuk është paraqitur aty për disa ditë.

Planet e tij janë që kthehet në Shqipëri dhe nga Durrësi të shkojë në Itali e më pas edhe në Gjermani.

Radio Evropa e Evropa e Lirë ka kontaktuar edhe me disa persona të tjerë të cilët kanë ardhur nga Siria dhe që janë duke qëndruar ilegalisht në Kosovës.

Ata janë duke qëndruar në motele të ndryshme në Prishtinë. Siç thonë ata, për një natë paguajnë deri në 30 euro. Të njëjtit janë deklaruar se duan të qëndrojnë në Qendrën e azilit, por nuk duan të kërkojnë azil në Kosovës. Me t’u paraqitur për herë të parë në polici, ata kanë marrë leje qëndrimi në Kosovë vetëm për 72 orë. Tani ata deklarojnë se pas kalimit të këtij afati kanë frikë nga policia dhe i kanë kufizuar lëvizjet në Prishtinë.

Rrahman Sylejmani, drejtor i Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë së Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se në rast se policia takon persona që janë duke qëndruar ilegalisht, do të merren masa e duhura ligjore ndaj tyre.

“Ata brenda këtij afati kohor [72 orë] janë të detyruar ose të kërkojnë, për t’u vendosur në Qendrën e azilit ose të lëshojnë territorin e Kosovës. Nëse asnjëra as tjetra nuk ndodh dhe ne ose Policia e rendit i takon prapë, ata pas skadimit të këtij afati do konsiderohen si migrantë të parregullt, shtetas me qëndrim ilegal në Kosovë dhe konform dispozitave të Ligjit për të huajt do të dërgohen në Qendrën e mbajtjes, që është e karakterit të mbyllur dhe do të jenë subjekt i deportimit të tyre në shtetin e origjinës ose në shtetin nga të cilin e kanë hyrjen e fundit në Republikën e Kosovës”, tha Sylejmani.

Zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme thonë se edhe Kosova, si edhe vendet tjera të rajonit, janë duke u shfrytëzuar nga emigrantët si vend transit për të kaluar më pas në vendet e tjera të destinacionit.

Zona ku shumica e emigrantëve janë kapur duke hyrë në territorin e Kosovës, është zona e gjelbër në Vërmicë, fshat në Komunën e Prizrenit, pranë vendkalimit kufitar Kosovë-Shqipëri.

Refugjatët në Turqi ua kanë mësyrë kufijve evropianë që nga 28 shkurti, pasi një zyrtar turk deklaroi se kufijtë janë hapur, në përgjigje të përshkallëzimit të luftës në Siri. Të enjten, 33 ushtarë turq u vranë nga forcat qeveritare siriane, të mbështetura nga Rusia.

“Kemi marrë vendim, i cili hyn në fuqi menjëherë, që të mos i ndalojmë refugjatët sirianë nga shkuarja në Evropë, qoftë përmes tokës ose detit”, tha një zyrtar i lartë turk për agjencinë e lajmeve Reuters.

“Të gjithë refugjatët, përfshirë sirianët, mund të kalojnë në Bashkimin Evropian”, tha zyrtari turk në kushte anonimiteti.

Më 1 mars, Turqia tha se mijëra migrantë janë nisur drejt kufirit me Greqinë, pasi presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan tha do të “hap dyert” që migrantët të nisen drejt vendeve të BE-së.

Greqia dhe Bullgaria kanë thënë se i kanë forcuar kontrollet në kufi.


Të ngjashme