Përfaqësuesi Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, në një intervistë për Zërin e Amerikës (edicionin në gjuhën boshnjake) ka folur për zhvillimet politike në Bosnje e Hercegovinë dhe për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Palmer ka thënë se këto Uashingtoni këto dy çështje i sheh si të ndara.
Ai tutje ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin dialogun të udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe punën që po bën Miroslav Lajcak si Përfaqësues Special.
Derisa ka kujtuar se SHBA’ja është duke investuar energji e kapital politik për normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Ne i shohim të gjitha këto çështje si të ndara. Ekziston një dinamikë specifike për përpjekjet e normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë, është e rëndësishme dhe Shtetet e Bashkuara po investojnë përpjekje të konsiderueshme, energji dhe kapital politik në të. Ne mbështesim plotësisht procesin e dialogut të udhëhequr nga BE dhe punën e Miroslav Lajcak si Përfaqësues Special i BE”, ka thënë Palmer për Zërin e Amerikës.
Tutje ka thënë se pret që të ketë përparim në Bosnje e Hercegovinë dhe thotë se situata atje s’ka lidhje me procesin e negociatave Prishtinë-Beograd.
“Në të njëjtën kohë, ne do të dëshironim të shihnim përparim në BiH përsa i përket reformës, por nuk krijojmë ndonjë lidhje midis procesit të dialogut Beograd-Prishtinë dhe asaj që po ndodh në BiH. Kur e them këtë, mendoj se është e qartë për të gjithë se gjërat e mira në Ballkan kanë prodhuar pasoja pozitive diku tjetër në Ballkan. Nëse mund të ketë pajtim dhe normalizim midis Serbisë dhe Kosovës, unë do të thoja që është mirë për të gjithë në rajon, përfshirë BiH. Nëse BiH mund të prezantojë reformat e nevojshme për të përparuar në rrugën evropiane, unë mendoj se është mirë për fqinjët e saj. Mendoj se kjo është mirë për Malin e Zi, për Serbinë. Kjo është mirë për Kroacinë, mirë për të gjithë rajonin”, ka thënë ndër të tjera.