Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, të cilin e ka përgëzuar për detyrën dhe për rolin aktiv të shtetit të tij në rajonin e Ballkanit.
Në takim me Peach, Presidentja Osmani tha se Mbretëria e Bashkuar është ndër aleatët kryesor, me rol kyç në procesin e çlirimit, pavarësimit dhe shtetndërtimit të Kosovës. Sipas saj, sa më i madh roli i këtij shteti në proceset e rëndësishme të rajonit tonë, aq më të mëdha e më të dobishme do të jenë rezultatet për qytetarët e Kosovës.
Presidentja Osmani, ka përgëzuar edhe Ambasadën Britanike në Kosovë, e cila sipas saj po bën punë të çmuar në mbështetjen e projekteve, duke përfshirë sundimin e ligjit dhe viktimat e dhunës seksuale.
Duke folur për zhvillimet aktuale politike, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova është e përkushtuar ndaj dialogut, si proces i përqendruar në njohje reciproke.
Sipas Presidentes Osmani, dialogu duhet t`i trajtoj palët në mënyrë të barabartë. Ajo ka përsëritur qëndrimin se pala kosovare është konstruktive në dialog dhe se Serbia po shkakton obstruksione duke mos i zbatuar marrëveshjet e nënshkruara. Në këtë kontekst, ka përmendur edhe ndikimin negativ të Rusisë në rajon si një tendencë e hapur për destabilizimin e rajonit.
Presidentja Osmani në takim me emisarin Peach ka theksuar se shteti i Kosovës është i përkushtuar për ta rritur bashkëpunimin me Britaninë e Madhe, sidomos në çështjet ekonomike dhe ato të mbrojtjes.
Peach para takimit me Osmanin, është pritur nga kryeministri Albin Kurti.
Peach gjatë dy ditëve të kaluara qëndroi për vizitë në Beograd, ku u takua me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe drejtorin e Zyrës për Kosovë, Petrar Petkoviq. Tema e bisedës ishte situata e përgjithshme në rajon, por edhe dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Vizita e tij në Beograd pasoi menjëherë pas vizitës së të dërguarve specialë të BE-së dhe SHBA-së, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar.Kjo do të jetë vizita e tij e parë zyrtare në vendin tonë si i dërguar në Ballkanin Perëndimor, që nga marrja e detyrës në fund të vitit të kaluar.