Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kundërshtuar emrat për emërimin e drejtorëve në Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, raporton Ekonomia Online.
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj ka thënë se disa prej këtyre emrave kanë probleme me ligjin, pasi sipas saj, kanë aktakuza të ngritura.
“Këtë Bord që e keni caktua janë me aktakuza publike. Krejt ata njerëz që ju kanë shërby, nuk ka lidhje a kanë aktakuza, a janë me drogë, për juve është e rëndësishme veç a ju kanë shërby juve”, ka thënë Kadrijaj.
Ajo ka kritikuar pushtetin e Lëvizjes Vetëvendosje për ndryshim të qëndrimeve pasi mori qeverisjen, duke ia përmendur edhe dhënien e pronave të Manastirit të Deçanit.
“Asnjëherë kërkush prej kësaj qeverie nuk është përgjigjur, çka ndodhi që kauza juve për tokat e Manastrit të Deçanit u bo realit. Ende nuk ju keni jep përgjigje qytetarëve të Kosovës, por as të Deçanit për këtë. I keni dhënë tokat po nxjerr kurgjo hiq, as anëtarësimin në Këshillin e Evropës, e asnjë përfitim tjetër. Pse bile nuk e keni nxjerr rrugën Deçan-Plavë, së paku këtë kompromis keni mundur ta bëni, por e keni dhënë tokën pa përfitu bash kurgjo hiq”, ka thënë tutje Kadrijaj.
