Lagjja Emshir, përkatësisht rruga “Tahir Zajmi” është kthyer në pistë garash në orët e vona të mbrëmjes, thonë banorët e lagjes.
Ata thonë se kjo dukuri është bërë e përditshme dhe se ndjehen të rrezikuar, raporton KTV.
Mendushe Curri thotë se veturat e tejkalojnë shpejtësinë e lejuar brenda lagjes.
Qytetarët janë ankuar disa herë edhe në Komunën e Prishtinës që të marrin masa duke e shtuar numrin e policëve të shtrirë.
“Në disa vende kemi vendosur pengesa dhe ne si komunë e kemi pajisur rrugën me shenja komunikacioni. Shkeljet dhe kundërvajtjet i takojnë policisë”, ka thënë Habib Qorri, shef i Shërbimeve Publike.
Banorët thonë se kanë kërkuar ndihmë edhe nga Policia që ky problem të zgjidhet, por sipas tyre, organet e rendit nuk kanë bërë asgjë.
KTV-ja nuk ka arritur të marrë përgjigje nga policia për rajonin e Prishtinës.