Bashkia e Shkodrës ka njoftuar këtë mëngjes se situata e përmbytjeve vijon të jetë e rënduar.
Sipas bashkisë “nga monitorimi periodik në terren ditën e sotme datë 12.01.2021,ora 08.30, situata e përmbytjeve në terren vazhdon të jetë si më poshtë: hidrometri në Dajç në orën 08.30, shënon kuotën 6.46m.(Kuota max 6.30 m); hidrometri i Liqenit të Shkodrës në orën 08.30,shënon kuotën 8.67 m. (Kuota max 8.70 m) dhe hidrometri i lumit Drin në orën 08.30,shënon kuotën 7.07m. (Kuota max 7.50 m)”
Ndërkohë që janë 1903 hektarë sipërfaqe totale e përmbytyr, në krahasim me një ditë më parë janë janë disa dhjetëra hektarë më shumë.
Vazhdon të jetë e bllokuar rruga për në Obot për mjetet e ulëta, por është e kalueshme vetëm me mjete të larta pasi niveli i ujit mbi rrugë arrin mbi 80 centimetra. Po ashtu bëhet me dije se për shkak të rritjes së nivelit të ujit është bllokuar segmenti në vendin e quajtur Urrelat që lidh fshatrat Shirq me Darragjat.
Ka rrëshqitje dherash në rrugën Baks-Rrjoll dhe po punohet me një fadromë për pastrimin e saj. Vazhdon gërryerja e tokës bujqësore nga lumi Drin në vendin e quajtur Harku i Bërdicës, fshati Bërdicë e Sipërme.
Po ashtu njoftohet se po vazhdon gërryerja e tokës bujqësore nga lumi Kir në vendin e quajtur Bardhaj, fshati Bardhaj. Gjithashtu ka rritje të nivelit të ujit nga Liqeni i Shkodrës, në zonën e Livadeve dhe Dobraç.(tvklan.al)