Presidenca e Kosovës ka bërë të ditur se pjesëmarrja e Endrit Thaçit, djalit të të parit të shtetit, Hashim Thaçi, në Lojërat Olimpike “Rio 2016” në Brazil është bërë me shpenzime personale dhe jo me para të buxhetit të Kosovës.
“Zyra e Presidentit nuk ka paguar asnjë shpenzim për udhëtimin e djalit të presidentit Hashim Thaçi në Lojërat Olimpike në Rio të Brazilit, së bashku me delegacionin shtetëror. Shpenzimet e tij janë mbuluar nga buxheti personal”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për media të presidentit Hashim Thaçi për gazetën “Zëri”.
Pjesëmarrja e djalit të presidentit në “Rio 2016” dhe ministrit të Bujqësisë, Memli Krasniqi, por jo edhe e ministrit të Sportit, Kujtim Shala, ka shkaktuar reagime të mëdha në vend, me arsyetimet se evenimenti më i madh sportit në botë nuk duhet shfrytëzuar si një mundësi ”për t’i kënaqur familjarët dhe bashkëpartiakët”.