Ai garoi në 269 gara të Formula 1, i fitoi 11 prej tyre dhe në vitin 2008 për pak i iku titulli kampion. Tash Felipe Massa ka vendosur ta sfidojë veten në Formula E. Aty kërkon titullin e kampionit, sukses që asnjëherë nuk e shijoi në Formula 1.
Piloti 37-vjeçar, i cili u largua nga Formula 1 në fund të edicionit 2017, ka firmosur kontratë për të garuar me skuderinë Venturi në Formula E, përcjell Koha Ditore shkrimin e CNN.
Ai në kampionatin e bolidëve elektrikë do të debutojë në fund të këtij viti kur nis edicioni i pestë i kësaj serie të garave.
Massa beson në sukses. Këtë përshtypje e ka fituar pasi ka testuar bolidët e Formula E në dy garat e fundit të edicionit 2017/18 kur u paraqit në Zuerich dhe New York.