Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vazhduar takimet e tij në Uashington.
Thaçi ka takuar kongresistin amerikan, Eliot Engel, me të cilin sipas një postimi në Facebook, ka biseduar për tema me interes për Kosovën.
“Gjithmonë kënaqësi të takoj mikun e madh të Kosovës, kongresmenin amerikan, Eliot Engel. Kongresmeni Engel në tri dekadat e fundit e ka përkrahur vazhdimisht vendin tonë në jetësimin e aspiratës për liri, pavarësi dhe shtetndërtim. Mbështetja e tij dhe e SHBA-së për Kosovën ka qenë, është dhe do të mbetet përherë jetike për popullin dhe vendin tonë”, ka shkruar Thaçi.
Engel pas takimit me Thaçin ka theksuar se ishte një bisedë shumë e mirë dhe se janë miq për shumë vite. Ai ka thënë se do të vazhdojë të avokojë për popullin e Kosovës për bashkëpunim më të thellë ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.
I pyetur për idenë e korrigjimit të kufijve, Engel ka theksuar se SHBA-ja do të mbështesë liderët e Kosovës, për çfarëdo që ata vendosin.
“Nuk dua të hy në detaje, por dua të them që SHBA-ja është gjithmonë me Kosovën, për atë që Kosova dhe liderët e saj vendosin. SHBA-ja do t’i mbështesë në çdo mënyrë të mundshme”, ka thënë Engel pas takimit.
Nga ana tjetër, Thaçi ka falënderuar kongresistin Engel për kontributin që ai ka dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Thaçi ka theksuar se me Engel kanë biseduar shumë tema, në veçanti për dialogun Kosovë-Serbi.
“Është një mbështetje edhe e Shtëpisë së Bardhë, edhe e Departamentit të Shtetit, Kongresit dhe Senatit, që të lëvizët drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovë dhe Serbisë, një marrëveshje paqësore”, ka shtuar ai.