Makinat me timon majtas na shkaktojnë aksidente vdekjeprurëse. Të marrim shembull nga Anglia. T’i kthejmë timonat djathtas.
Tek ne braktisin fshatrat. Lenë ca pleq e plaka mbi mangall. Zbresin në qytet ku lajnë pjata dhe tasa boshatisur nga barkderra. Për këtë problem nuk mund të merret mësim nga Gjermania ekspansioniste e cila e ka pushtuar Europën pa Hitler dhe pa Gestapo, por vetëm nga Anglia që u tkurr, u mblodh, erdhi në vatrën e vet, bëri brexit.
Me femra nëpër kafenera me kërthiza përjashta, me pantallona xhinsa më të vogla se breçkat, liberalizmi, ky helm i ëmbël për varfanjakë, po bën kërrdinë. Për t’i vënë fre murtajës së qeshur hyperliberale e bëjmë si e bëri Anglia, kthejmë fytyrën nga i seriozi konservatorizmi.
Mirë bëjnë që mbarojnë universitetet e Perëndimit çunat dhe çikat tona. Por kur vijnë këtu, sesi duken, si të hutuar, si të goditur, si të zbrazur, si thasë mielli, si tuba uji. Kanë përvetësuar disa shprehi qytetare. Dinë ç’janë, rregullat e jetesës në komunitet, disiplina, orari i punës, bankat, taksat, dhe natyrisht i kudondodhuri seksi. Por asgjë më tepër. As e ardhme, as familje, as sakrificë, as humanizëm, asgjë. Për këta vetë Anglia hëpërhë s’ka gjetur ndonjë zgjidhje. Derisa Anglia tu gjejë të vetëve një derman, tanët i fusim nëpër call centera.
Na janë mërzitur biçikleta, furgoni, autobuzi. Na janë bërë bythët njësh me sediljen e makinës. Perandorakët kur ndonjëherë vijnë këtu, ja therin më këmbë mespërmes maleve, nga Polisi në Valamarë, nga Martaneshi në Mirditë, nga Berati në Këlcyrë. Të nisim tu ngjajmë ishullorëve të papërtuar për ta larguar sedentarizmin.
Ku i gjejnë vallë paret televizionet pa shikuesa, gazetat pa lexuesa. Këtë ekuacion me shumë të panjohura të cilit edhe Amerika nuk i ka dhënë dum, Anglia e ka zgjidhur qyshkur. Andej nga vitet ’60, kur mori vesh se në Shqipëri Radio Londrën e dëgjonin vetëm ca të pjerdhur që prisnin zbarkimin, Radio Londrën në Gjuhën Shqipe e mbylli fare. Atë të bëjmë dhe ne. T’i mbyllim të gjitha. Lemë vetëm nja dy a tre. Faleminderit Angli për vizionin dhe leksionin.
Na nevrikosin shpesh këta mutërit që u duket sikur kanë lindur për të punuar ja nëpër OJQ-ra ja rash e vdiqa. Tash e tutje s’do jenë problem. Të armatosur me guximin e Anglisë që doli nga Europa, bëjmë një ligj që OJQ-ve tu vëmë drynin. Ojqirët vetvetiu do përfundojnë në hale të gomerëve.
Është përhapur ideja sikur stafetën duhet ta marrin të rinjtë, ndërsa të vjetrit që s’dinë të bëjnë gjë tjetër veçse të fshijnë qurrat, duhet të shtrëngojnë ushkurët që të mos u bien brekët. Për fat ekziston Anglia e cila me brexit e dha shembullin se si të vjetrit e shëndetshëm dhe të arsyeshëm e kthejnë rrotën e Historisë nga është më mirë për të gjithë, edhe për të rinjtë ngordhalaqë të stakanovizmit të stafetave.
Nuk durohen këta që u janë vërsulur punëve rë kollajta me kompjuter me klika me gisht mbi taç skrina. Ka zëra se parazitët e vet Anglia do t’i syrgjynosi nëpër ishuj. Edhe ne e kemi një ishull, Sazanin. T’i hedhim mes gjerpërinjve të helmatisur dhe lepujve që dridhen nga frika shakaxhinjtë e rehatllëkut, dashuronjësit e shiltes, pasonjësit e Haxhi Qamilit që na mbahen për moderna.
Duket sikur gjërat ngatërrohen, filli humbet, çfaqet gremina, nis frika. S’ka problem. Për të mos u mërzitur dhe kapitulluar ne, është lodhur dhe ka rrezikuar Anglia.
Sa kohë Mafien e marrim nga Italia, frikën nga Rusia, minaret nga Arabia, hashashin nga kahmosi, leksionet i marrim nga Anglia.