Pas publikimit të përgjimeve që pretendojnë se ministri Liburn Aliu është i përfshirë në korrupsion, ka reaguar bashkëpartiaku i tij, Enver Dugolli.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “është shumë i sigurt që Liburni nuk mund të frikësohet e shantazhohet, e aq më pas të korruptohet”.
“E di që figura e pastër e Liburnit edhe mund t’i trembë disa, por s’kemi çka bëjmë, ai nuk do ua lag fytin askuj. Le të kokorizin sa të duan”, ka shkruar deputeti i VV-së.
Dugolli është shprehur i kënaqur që kanë nisur hetimet nga ana e Prokurorisë Speciale, por tha se ato duhet të shkojnë deri në fund edhe ndaj “atyre që për motive të ndryshme po tentojnë të njollosin figurën e tij”.
Postimi i plotë:
Liburn Aliun e njoh në kohë të vështira. E njoh atëherë kur disa bënin biznes me Serbinë dhe kritikonin ata që merrnin guximin të organizoheshin për të fituar lirinë.
Prandaj një gjë jam shumë i sigurt, për aq sa e njoh, dhe e njoh shumë mirë, Liburn Aliu nuk frikësohet e shantazhohet, e aq më më pak të korruptohet.
E di që figura e pastër e Liburnit edhe mund t’i trembë disa, por s’kemi çka bëjmë, ai nuk do ua lag fytin askuj. Le të kokorizin sa të duan.
Çuditërisht, Liburnin u munduan ta pengojnë e ndalojnë edhe në fillim të mandatit (e që pastaj u vërtetua që nuk kishte asgjë të keqe, sepse kishte mbrojtur interesin publik), por ai nuk u ndal sepse e drejta mund të vonon por ajo triumfon.
Dhe për fund, duke besuar plotësisht në punën e mirë dhe të ndershme të Liburnit, po dua të them; shumë mirë që kanë filluar hetimet, ama le të shkojnë deri në fund edhe ndaj atyre që për motive të ndryshme po tentojnë të njollosin figurën e tij.