Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka deponuar një padi kundër kryetarit të AKR-së, Behgjet Pacolli, përkitazi me, siç thuhet, “shpifjet për hajni, abuzim me studentë, falsifikim të diplomave dhe doktor të shkencave, si dhe deklarimet e tjera fyese sa i përket familjes”.
“Pala e paditur, z. Behgjet Pacolli, përmes përhapjes së fakteve të pavërteta dhe fyerjeve me rastin e publikimit në Facebook e të përshkruar në pikat 2 dhe 3 të kësaj padie , më datë 5 gusht 2019, e ka dëmtuar seriozisht reputacionin e palës paditëse, prof. dr. Enver Hasani, gjegjësisht palës paditëse iu është cenuar autoriteti si ish-përfaqësues i parë i Republikës së Kosovës në Komisionin e Venecias, profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës dhe në shumë universitete të tjera nëpër botë, si ish-zyrtar i lartë i Republikës së Kosovës ( ish-kryetar i parë i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës), por edhe autoritetin e tij si qytetar i respektuar i Prishtinës”, thuhet në padinë e dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës më 1 tetor. Më tej aty shkruan se Hasani është detyruar të kërkojë rehabilitim mjekësor pas deklaratave të Pacollit, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Në të njëjtën kohë, palës paditëse, si pasojë e publikimeve të vazhdueshme të informatave të pavërteta nga i njëjti person, i janë shkaktuar edhe dhimbje të theksuara shpirtërore, e që vërtetohen në bazë të raporteve nga konsultat e mjekut (prova nr. 2), të cilat dhimbje shpirtërore kanë krijuar nevojën e trajtimit mjekësor të vazhdueshëm deri në rehabilitim, ashtu që, për çdo seancë të trajtimit mjekësor nga mjeku i specializuar ka shpenzime dhe humbje në aspektin material”, shkruan në padi.
Padia ka të bëjë me një shkrim të Pacollit të publikuar në profilin e tij në Facebook më datë 5 gusht 2019.
“Ti Hajn-uz, Enver, Hysen, Hasan apo si e ke emrin, lirisht mund të jetosh 3000 vjet, por kurrë nuk do ta arrish atë që kam arritur unë, në jetën time normale si në aspektin human ashtu dhe në atë profesional.