Enver Hasani i përgjigjet Pukës: Diploma që prezantoi është fiktive

Prishtinë | 21 Qer 2023 | 14:06 | Nga Ekonomia Online

Profesori Enver Hasani vazhdon të këmbëngulë se dekani i Fakultetit Juridik Avni Puka nuk e ka të kryer doktoraturën në në Universitetin “La Sapienza” në Itali. Edhe pse Avni Puka prezentoi një diplomë dhe tha se do ta ndjek ligjërisht Hasanin për deklaratat e tij, profesori Enver Hasani i tha Gazetës Express se diploma në fjalë është fiktive.

Enver Hasani këmbëngulë që diploma që ka prezentuar sot Avni Puka është fiktive dhe e njëjta po prezantohet për herë të parë në publik.

“Ky duhet të jap fakultetin, numrin e kredive , titullin e temës! vitet e studimeve!  Asnjë këtu nuk janë! Kjo diplomë për herë të parë prezantohet në publik dhe nuk ekziston në asnjë dosje të Fakultetit Juridik dhe MASHT. Është fiktive”, tha profesori Hasani të mërkurën në një përgjigje për Gazetën Express.

Ai thotë se duhet kërkohet përgjigje nga Avni Puka se përse nuk ka kërkuar asnjëherë nostrifikim.

“Pyetja që duhet t’i bëhet Avniut është kjo: pse nuk e ke pasur në dosjet në Juridik dhe në MASHT dhe pse nuk ke kërkuar asnjëherë nostrifikim?”, u shpreh Hasani për Gazetën Express.

Ai ka paralajmëruar se do t’i ndjek rrugët ligjore për këtë rast.

Në anën tjetër Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), në krye me Rron Gjinovcin, kanë shprehur shqetësim për denoncimin që ka bërë profesori Enver Hasani ndaj dekanit të Juridikut Avni Puka, i cili sipas Hasanit ka mashtruar sepse nuk ka doktoraturë të kryer në Universitetin “La Sapienza” në Itali.

Prokuroria Themelore e Prishtinës nuk ka kthyer përgjigje nëse kanë nisur hetime ndaj denoncimit që ka bërë Hasani.

Të ngjashme