Në një intervistë dhënë për Euronews Albania, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj sqaroi arsyet se përse ka refuzuar ftesën e kryeministrit Kurti për të diskutuar mbi çështjet me interes kombëtar që qeveria duhet të ketë me prioritet.
Ai tha se kryeministri Kurti para se të ftonte opozitën në takim do duhej të përgatiste një platformë të shkruar, në të cilën të listoheshin parimet dhe qëllimet mbi ato çështje, që kanë rëndësi kyçe për Kosovën.
“Së pari, kryeministri Kurti dhe qeveria e tij para se të ndodhë takimi do duhej ta ofronte një platformë të shkruar mbi këtë dialog, ta bënte publike këtë platformë, të kishte parime të qarta, qëllime të qarta dhe afate kohore. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur”, tha ai.
Ai tha se Kurti e ka ftuar opozitën mbi parimet sikurse të ishin vartës të tij dhe kjo qasje për të është e gabuar.
“Së dyti, mënyra se si është organizuar takimi z. Kurti ne na ka ftuar sikurse ne të ishim vartësit e tij. E ka caktuar kohën e takimit, por nuk e ka caktuar temën e takimit”, tha Hoxhaj.
Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj tha se partia e tij mbështet procesin e dialogut, duke shtuar se do t’i dalin për “zot Kosovës sa herë të ketë nevojë”. Sa i takon çështjes së liberalizimit të vizave, Hoxhaj u shpreh se BE-ja nuk është më e besueshme kur flet për këtë temë.
“Ne dialogun e mbështesim dhe do t’i dalim zot Kosovës sa herë ka nevojë. Mendoj se Borell dhe BE nuk janë më kredibil [të besueshëm] të flasim për këtë temë, nëse kanë diçka për t’i thënë Kosovës është mirë të marrin vendime në raport me liberalizimin e vizave. BE ka qenë e padrejtë me qytetarët e Kosovës. Nuk mund të flas BE-ja me katër ose pesë qëndrime në raport me Kosovën, sikurse po sillet në mënyrë të padrejtë në raport me Shqipërinë”, shtoi Hoxhaj.