Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e SHBA-ve, Donald Trump, transmeton Anadolu Agency (AA).
Shefi i Zyrës së Komunikimeve i Presidencës së Turqisë, Fahrettin Altun, detajet rreth bisedës i bëri të ditura nëpërmjet rrjetit social Twitter.
“Në bisedë janë trajtuar çështjet bilaterale dhe rajonale. Presidenti ynë ka përsëritur propozimin për themelimin e një grupi të përbashkët punues në lidhje me sistemin e mbrojtjes raketore S-400 të cilat planifikohen të furnizohen nga Federata e Rusisë për nevojat tona të sigurisë kombëtare”, ka shkruar ai.
“Gjithashtu në bisedë është ndarë vullneti për tërheqjen e tarifës shtesë për sektorin e çelikut, vendim për të cilin është theksuar se do të kontribuojë në arritjen e synimit të tregtisë bilaterale prej 75 miliardë dollarë”, potencoi Altun.
Të dy liderët janë dakorduar që të takohen në margjinat e Samitit G20, e cila do të organizohet në Japoni.