Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se operacionet e kërkim-shpëtimit pas përmbysjes së një anijeje pranë Qipros Veriore po vazhdojnë pa ndërprerje.
Anija ishte nisur nga Kyrenia drejt portit Taşucu në Turqi, ndërsa pas aksidentit autoritetet turke dhe ato të Qipros Veriore aktivizuan një operacion të gjerë shpëtimi, raporton BBC.
Erdogan bëri të ditur se 237 persona janë shpëtuar, ndërsa shtatë persona kanë humbur jetën. Ai shprehu ngushëllime për familjet e viktimave dhe uroi shërim për të lënduarit.
“Shpresojmë të marrim lajme pozitive nga këto përpjekje”, deklaroi Erdogan, duke theksuar se ekipet vazhdojnë kërkimet për personat që ende rezultojnë të zhdukur.
Republika Turke e Qipros Veriore, e vetëshpallur, kontrollohet nga Turqia dhe njihet ndërkombëtarisht vetëm nga Ankaraja.