Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, i cili gjendet për vizitë zyrtare në Korenë e Jugut, u prit në një takim nga homologu i tij jugkorean, Moon Jae-in, raporton Anadolu Agency (AA).
Erdoğan u prit në rezidencën presidenciale në Seul, për të marrë pjesë në një samit delegacionesh i cili synoi forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.
Në një kumtesë të përbashkët për shtyp të lëshuar pas takimit dhe ceremonisë së firmosjes së marrëveshjes mes dy vendeve, thuhet se samiti mes Turqisë dhe Koresë së Jugut ka forcuar lidhjet e miqësisë mes dy liderëve dhe se janë zhvilluar bisedime gjithëpërfshirëse për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe.
“Dy liderët ngelën dakord për rritjen e kontakteve dhe bashkëpunimit mes qeverive dhe sektorëve privatë. Ata nënvizuan se Marrëveshja e Tregtisë së Lirë Turqi-Kore është bazament i rëndësishëm për zgjerim më të balancuar të tregtisë dypalëshe dhe marrëdhënieve ekonomike dhe në dobi të interesit reciprok, duke njoftuar me kënaqësi se së shpejti do të hyjnë në fuqi edhe Marrëveshjet e Investimit dhe Tregtisë së Shërbimeve në kuadër të tregtisë së lirë”, thuhet në kumtesë.
Dy liderët po ashtu kanë rënë dakord për bashkëpunim të afërt drejt realizimit me sukses të “Vizionit 2023” të favorizuar nga qeveria turke.
Palët kanë qenë të mendimit të njëjtë në lidhje me rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e shkencës dhe teknologjisë, për të cilat palët janë dakorduar për këmbimin e ekspertëve mes dy vendeve.
“Ata ndajnë mendimin e njëjtë në lidhje me bashkëpunimin jo vetëm në nivel dypalësh, por edhe në platformat shumëpalëshe ndërkombëtare dhe organizatat ndërkombëtare, përfshirë OKB-në”, theksohet në kumtesë.
Erdoğan ka uruar homologun e tij Moon për samitin historik midis dy Koreve, ndërsa së bashku me presidentin jugkorean kanë nënvizuar se samiti ka përgatitur terrenin për denuklearizimin e plotë të Gadishullit Korean, ndërtimin e paqes permanente dhe zhvillimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve mes dy Koreve.
Presidenti Erdoğan ka riafirmuar mbështetjen e plotë për përpjekjet e Koresë së Jugut drejt arritjes së paqes.
Siç bëhet e ditur, Erdoğan dhe Moon kanë ngelur dakord për bashkëpunim në shumë çështje të përmasave globale, përfshirë paqen dhe stabilitetin në botë, si dhe luftën kundër terrorizmit dhe krizën e refugjatëve.
“Është theksuar nevoja që komuniteti ndërkombëtar të japë përpjekje për arritjen e një zgjidhjeje politike të përhershme për kontestin në Siri, si dhe gjetjen e një zgjidhjeje për krizën humanitare. Presidenti Moon i ka vlerësuar tejet pozitivisht përpjekjet e Turqisë për gjetjen e zgjidhjes për krizën humanitare dhe kontestin në Siri”, thuhet më tej.
Presidenti Erdoğan shoqërohet nga një delegacion zyrtarësh të lartë shtetërorë, në mes të cilëve gjendet shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Hulusi Akar, zëvendëskryeministri Hakan Çavuşoğlu, ministri i Shkencës, Industrisë dhe Teknologjisë, Faruk Özlü, ministri i Jashtëm, Mevlüt Çavuşoğlu dhe ministri i Energjisë dhe Resurseve Natyrore, Berat Albayrak.