Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdoan mbajti në Sarajevë një tubim elektoral që pritet të jetë i vetmi i këtyre përmasave në tokë të huaj, i lidhur me zgjedhjet e 24 qershorit.
Nga kryeqyteti i Bosnjes, kreu i shtetit turk iu drejtua rreth 3 milionë turqve që jetojnë jashtë kufijve me një fjalim që mund të ketë impakt të madh mbi rezultatin përfundimtar zgjedhor.
“Kjo turmë dhe ky zë i njerëzve të Sarajevës janë shenjat e një fitoreje të madhe në zgjedhjet që do të mbahen në Turqi. Vendet europiane nuk i deshën tubimet tona, por Bosnja na e dha këtë mundësi. Bosnja dëshmoi demokracinë e saj”, deklaroi Erdogani.
Me këto fjalë, Erdogani iu referua faktit që në disa shtete evropiane, evente të ngjashme u ndaluan. Por, Presidenti turk e gjeti mundësinë ta thotë fjalën e tij. Tubimi u mbajt në kompleksin olimpik Zetra, ku, sipas agjensisë shtetërore të lajmeve Anadolli, morën pjesë rreth 12 000 vetë, ndërsa 10 000 të tjerë ishin mbledhur jashtë godinës.
Përveç turqve, të pranishëm ishin edhe boshnjakë lokalë e të tjerë myslimanë boshnjakë. Erdogani i nxiti turqit e diasporës në mbarë Kontinentin e Vjeter që të marrin dyshtetësinë, të mësojnë gjuhët e vendeve ku jetojnë, përfshirë atë boshnjake, e të jenë aktivë në jetën politike.
Ai nuk harroi si gjithmonë të godiste armikun e vet të madh, klerikun Fetullah Gylen dhe organizatën e tij Feto, ndërsa përpara mitingut premtoi investime të reja turke në Bosnje teksa diskutonte bashkëpunimin ekonomik me Bakir Izetbegoviçin e presidencës boshnjake.
Ky i fundit do të shprehej më vonë se Erdoganin e ka dërguar Allahu që të drejtojë Turqinë.