Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka konfirmuar të premten kryerjen e testit të parë për sistemin kundërthënës të mbrojtjes kundërraketore ruse, teksa ka hedhur poshtë kritikat e adresuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Turqia ka testuar sistemin rus gjatë javës së kaluar, duke e nxitur reagimin e Washingtonit, i cili kishte paralajmëruar vendosjen e sanksioneve ndaj Turqisë me rastin e sistemit që është në kundërshti me sistemet e mbrojtjes të NATO-s, transmeton KOHA.
“Është e vërtetë se kemi ndërmarrë testime, ato tashmë janë kryer dhe do të vazhdojnë edhe më tutje”, ka thënë Erdogani para gazetarëve në Stamboll, një javë pas raporteve për testim. “Si është e mundur që të mos i testojmë gjithë këto kapacitete që i posedojmë? Natyrisht se nuk do të konsultohemi për këtë gjë me Amerikën. Nuk do t’i kërkojmë Amerikës leje”, ka shtuar ai, raporton Al-Jazeera.
Washingtoni zyrtar ka shpresuar se Ankaraja do ta “mbajë në kuti” sistemin, por Turqia ka insistuar tërë kohës se S-400 do të funksionalizohet së shpejti, pas realizimit të dërgesës gjatë vitit të kaluar.
Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Pentagoni iu përgjigjën me zemërim raporteve për testim.
Zëdhënësi i Departamentit, Morgan Ortagus, ka thënë të premten e shkuar se në rast se testimi konfirmohet, atëherë Washingtoni do ta trajtojë veprimin si “të papërkulshëm me përgjegjësitë e Turqisë si një aleat në NATO dhe partner strategjik i SHBA-së”.
“Gjithashtu, kemi qenë më se të qartë kur i kemi numëruar pasojat e mundshme serioze për marrëdhënien tonë të sigurisë, po qe se Turqia e aktivizon sistemin”, ka paralajmëruar Ortagus.
Washingtoni pretendon se blerja e sistemeve ruse S-400 nga ana e Ankarasë e kompromiton mbrojtjen e NATO-s dhe përbën veprim që mund të përcillet me sanksione. Turqia përballet me sanksione nën ligjin e vitit 2017-s të njohur si CAATSA, i cili i mandaton masat sanksionuese për blerjet “domethënëse” të armëve nga Rusia.