Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u ka bërë thirrje qytetarëve të Tiranës të kenë kujdes gjatë lëvizjeve që i bëjnë nëpër qytet shkaku i erërave të forta që e kanë kapluar vendin.
Në një postim në Facebook, Veliaj ka kërkuar që të jenë të kujdesshëm kryesisht gjatë qëndrimit në vende ku ka objekte apo pemë që rrezikojnë rënien, raporton Koha.net.
Ai u ka kërkuar qytetarëve që çdo problem ta raportojnë në numrin e emergjencës 112.
“Punonjësit tanë ndodhen në terren në ndihmë të çdo qytetari”, ka theksuar ai.
Si pasojë e erërave të forta, në Tiranë është rrëzuar Pema e festave të fundvitit që ishte vendosur në qendër të qytetit.
Mësohet se nga rrëzimi i pemës nuk ka të lënduar.
Po ashtu, janë rrëzuar edhe disa dru tjerë që kanë rrezikuar jetën e qytetarëve, por që për fat deri më tani nuk është raportuar për të lënduar.