Piloti suedez i skuderisë së Formula 1, Sauber, Marcus Ericsson, ka zbuluar se ka disa vjet që garon në etje, pasi ka hequr shishen e ujit në mënyrë që të lehtësojë peshën e bolidit.
Suedezi shpjegoi se vetëm gjatë garës së fundit, të mbajtur në Hungari, ai humbi 2.5 kilogramë për shkak të motit shumë të nxehtë, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”. Ericsson tha se humbja e kilogramëve erdhi për shkak të etjes së madhe gjatë garës dhe pamundësisë për të pirë ujë.
Për suedezin kjo nuk është diçka e re, pasi ai ka vite që garon në këtë mënyrë.
Sportistët e tjerë e kanë të instaluar ujin në bolid dhe përmes një gypi që e mbajnë afër kokës, marrin ujë sa herë duan.
“Ka dy vjet që nuk e kam të instaluar sistemin e pijes së ujit në bolid. Ky sistem peshon rreth 1.5 kilogramë dhe nuk e përdor për shkak të peshës. Kjo është arsyeja kryesore dhe asnjëherë nuk ankohem”, ka deklaruar Ericsson, i cili i është përgjigjur Kimi Raikkonenit, pasi finlandezi ka thënë se në xhirot e fundit kishte pasur telashe për shkak të etjes.
“Kjo është vetëm njëra prej arsyeve se pse të gjithë pilotët duhet të kemi peshën e njëjtë të bolidit”.
Raikkonen ka thënë se mekanikët kishin harruar t’ia ndërrojnë shishet e ujit në pit-stopin e fundit. Temperatura në shteg gjatë garës në Hungari, arriti deri në 50 gradë celsius. I pari doli britaniku Lewis Hamilton (Mercedes), i përcjellë nga Sebatian Vettel (Ferrari).
Pesha e përgjithshme e bolidit është shumë e rëndësishme në këtë garë. Sa më pak kilogramë, aq më i shpejtë bëhet bolidi. Kësisoj, bolidi kur mbetet me pak, bëhet më i shpejtë. Dhe, Ericsson ka menduar të lehtësojë bolidin duke e lënë veten të etur.