Eriksen drejt klubit italian, të hënën testet mjekësore

Prishtinë | 24 Jan 2020 | 15:03 | Nga Ekonomia Online

Mediumet italiane kanë sugjeruar se Interi ka arritur marrëveshje për transferimin e Christian Eriksenit nga Tottenhamit për 18 milionë euro plus bonuse dhe se danezi do t’i kryejë testet mjekësore të hënën.

Negociatave të gjata mes Interit dhe Tottenhamit duke se u ka ardhur fundi, pasi që mediumet e mëdha italiane raportojnë se drejtuesit e Interit u shtruan darkë përfaqësuesve të Tottenhamit, në shenjë respekti pas bisedimeve për transferimin e Eriksenit.

Kontrata e Eriksenit me Tottenhamit është e vlefshme vetëm deri në qershor të këtij viti, kështu që ai ishte i lirë të nënshkruante marrëveshje personale me zikaltrit – kontratë deri në qershor të vitit 2024 me pagë prej tetë milionë eurosh në vit, plus bonuse.

Përkundër rrezikut që ta humbiste mesfushorin danez pa asnjë cent në fund të këtij sezoni, Tottenhami nuk pranoi të tërhiqet nga kërkesa prej 20 milionë eurosh për shitjen e futbollistit.

Interi fillimisht kishte bërë ofertë prej dhjetë milionë eurosh, mirëpo tani është pajtuar t’i paguajë 18 milionë euro menjëherë, ndërsa edhe dy milionë euro të tjera në formë të shtesave – sipas SportItalias, La Gazzetta delllo Sport e Calcio Mercatos.

Siç qëndrojnë gjërat tani, Erikseni do t’i kryejë testet mjekësore të hënën, mirëpo është e mundur që ai ta përshpejtojë këtë proces dhe të ulet në tribuna për ndeshjen e së dielës të Interit kundër Cagliarit.

Ndërkohë, La Gazzetta dello Sports i përgënjeshtron raportimet e mediumeve angleze se edhe Barcelona është futur së fundi në garë për Eriksenin, duke theksuar se danezi veçse ka nënshkruar marrëveshje personale me Interin.

Interesimi i Barcelonës shihet vetëm si tentim i drejtorit ekzekutiv të Tottenhamit, Daniel Levy, për ta bindur Interin të shpenzojë më shumë para.


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme