Mediat italiane raportojnë se Christian Eriksen do të rikthehet në qytetin e Milanos në javën e dytë të korrikut për t’ju nënshtruar testeve mjekësore. 29 vjeçari e pësoi një sulm kardiak në debutimin e Danimarkës në Euro 2020 kundër Finlandës.
Atij iu dha CPR urgjente në fushë para se të dërgohej në spital, ku disa ditë pas incidentit, iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjike për ta vendosur në zemër defibrilatorin, përcjell Gazeta Express.
Sidoqoftë, karriera e futbollistit është vënë në dyshim, edhe pse ai mund të luajë me defibrilator në zemër, me protokoll të Komitetit Organizativ Kardiologjik të Sportit dhe Fitnessit, i cili ishte përditësuar në vitin 2017. Por, në Itali është e ndaluar paraqitja në fushë në këtë mënyrë dhe nuk përjashtohet mundësia që ish-futbollisti i Tottenamit të vazhdojë të luajë në ndonjë ligë tjetër.
Interi për çdo rast e transferoi Hakan Calhanoglun si lojtar të lirë dhe turku shihet si zëvendësues potencial i Eriksenit. Portali italian “Calciomercato.com” shkruan se Eriksen do të kthehet në Itali në javën e dytë të korrikut.
Natyrisht, ai nuk do të jetë në gjendje të ushtrojë, por do të takohet me shokët e skuadrës dhe do të bisedojë me trajnerin e ri, Simone Inzaghi, para se t’ju nënshtrohet kontrolleve mjekësore dhe fizike, duke shpresuar që defibrilatori në zemër të mund të hiqet.