Partia Demokratike paditi në gjykatë kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj duke kërkuar dënimin e tij për ato të cilësuara si shpifje të përsëritura kundër kryetarit të PD-së, Lulzim Basha.
Padia penale argumenton se “Erion Veliaj, si drejtues i fushatës së PS-së për Tiranën ka bërë 3 akuza konkrete, duke shpifur për kundërshtarin politik, me qëllim që t’i dëmtojë imazhin zotit Basha”.
Burime nga Gjykata e Tiranës bëjnë të ditur se padia konsideron si 3 shpifje të Erion Veliajt akuzat se:
• Kryetari i PD-së u bë me 4 shtëpi gjatë tërmetit dhe pandemisë
• Kryetari i PD-së ka përfituar gjatë periudhës së fatkeqësisë
• Kryetari i PD-së ka ndërtuar kate pa leje.
“Këto të pavërteta janë bërë me qëllim dëmtimin e reputacionit dhe dëmtimin e imazhit në mënyrë të qëllimshme, duke qenë se Lulzim Basha është kryetar i PD-së në opozitë dhe Erion Veliaj, si drejtues i fushatës zgjedhore të PS-së për qarkun e Tiranës, këto deklarime shpifëse i përdor për të përfituar kredi politike përballë qytetarëve, si për vete dhe për PS-në”, thuhet në padinë e ngritur për shpifje ndaj Erion Veliajt.