Atleti Erzen Zyberaj ka arritur të rrëmbejë vendin e parë në maratonën virtuale “Prishtina 2020”, e mbajtur më 27 shtator.
Shtegun 42-kilometërsh, ai e ka përfunduar për dy orë e 46 minuta, duke lënë prapa grekun Stefanos Rigas, i cili arriti në cak dhjetë minuta më vonë. Kurse në vendin e tretë ka përfunduar Shkumbin Vula.
Zyberaj shprehet i kënaqur për rezultatin e arritur në maratonën e parë të Prishtinës.
“Ka qenë emocionuese (pjesëmarrja në maratonë), kur dihet që unë për herë të parë kam marrë pjesë si maratonist në një garë të cilën e ka organizuar shteti i Kosovës. Edhe pse ka qenë virtuale ka pas pjesëmarrës mirë. Unë jam ndje shumë i kënaqur me arritjen time”, ka thënë ai.
Në garën e dielës atleti nga Rahoveci thotë se ka pasur edhe vështirësi, megjithatë ka pasur ndihmën e shokëve nga klubi Gërmia 555.
“Ka qenë e vështirë sepse nuk ka pas siguri gjatë vrapimit. Është dashur që ta sigurosh shtegun vet, t’i bësh të gjitha përgatitjet vet, por unë kam pasur fatin që kam një shoqëri shumë të mirë që më ka qëndruar afër gjithmonë. Kështu që me ndihmën e tyre kam arritur që ta përmbushi sadopak atë synimin që kam pasur”, ka thënë Zyberaj, fitues i maratonës virtuale.
Ai thotë se synon rezultate edhe më të mira, derisa shpreson edhe në mbështetje institucionale.
“Synimet janë që të punojmë akoma më shumë që në të ardhmen të kemi paraqitje edhe më të mira. Shpresojmë që të kemi edhe ndihmën e institucioneve për arritjen e synimeve që i kam”, thotë Zyberaj.
Përveç maratonës gara janë zhvilluar edhe në disa kategori të ndryshme, përfshirë këtu edhe në 21 kilometra.
Në gjysmëmaratonë vendin e parë e ka rrëmbyer Ragmi Ibrahimi që ka përfunduar garën për 1 orë e 23 minuta. Pas tij renditen Rejhan Krasniqi e Milazim Kamberi.